Arbëri

Palokaj: Kosova e vetmja që s’mori rekomandim për nisje të negociatave me BE-në

Korrespondenti i KTV-së në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se Kosova mbetet e vetmja që të mërkurën s’mori as rekomandim për nisje të negociatave për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai ka deklaruar të mërkurën nga Brukseli se në prezantimin e pakos së madhe të BE-ë për procesin e zgjerimit, Ukraina e Moldavia morën rekomandimin, Bosnjë-Hercegovina një rekomandim të kushtëzuar dhe Gjeorgjisë iu dha rekomandimi “për t’i dhënë statusin e vendit kandidat”.

“Me çka mbetet Kosova si i vetmi vend që s’ka as rekomandim. Por, morëm përgjigjen se duhet të presim që të ketë lëvizje në Këshill (të Evropës v.j.)”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas Palokajt, të mërkurën në Bruksel është miratuar propozimi për një plan të ri të rritjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Procesi i zgjerimit ka kushtëzime. Për vendet e Ballkanit, qysh në vitin 2003 është thënë se pos kushteve që ekzistojnë për përmbushjen e kritereve evropiane, pra përafrimit me trashëgiminë ligjore të BE-së, kusht është edhe bashkëpunimi rajon. Në rastin e Kosovës dhe të Serbisë tash e një kohë të gjatë thuhet se rruga drejt BE-së çon edhe përmes implementimit të obligimeve që dalin nga procesi i dialogut”, ka shtuar ai.