Arbëri

Specialja arrestoi Kilajn “për pengim të personave zyrtarë” e “shkelje të sekretit”

Isni Kilaj

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale ka thënë se Isni Kilaj është arrestuar për veprën “pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “shkeljen e sekretit të procedurave”.

Në një komunikatë për media të premten pasdite, Specialja ka thënë se Kilaj është transferuar në Objektin e Paraburgimit në Hagë dhe do të dalë para gjykatës “pa vonesa të panevojshme”.

“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftim.

ZPS-ja ka thënë se “e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Gjykata Speciale ndërkaq ka konfirmuar se paraqitja e parë e Kilajt para gjykatës do të jetë më 4 nëntor.

“Paraqitja e parë do të jetë seancë publike, gjatë të cilës Gjykatësi i Vetëm siguron që Isni Kilaj është informuar ër arsyet e arrestimit të tij dhe se po respektohen të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores, ndër të cilat e drejta për përfaqësim juridik. Brenda 48 orësh pas paraqitjes së parë, Gjykatësi do të vendosë në lidhje me mbajtjen e mëtejshme në paraburgim ose lirimin e Isni Kilajt”, thuhet në njoftim.


Neni 392 i Kodit Penal të Kosovës për shkeljen e fshehtësisë të procedurave:

1. Kushdo që pa autorizim zbulon informata për të cilat është njoftuar në procedurën zyrtare, që sipas ligjit nuk mund të zbulohen apo ato informata janë shpallur si fshehtësi me vendim të gjykatës apo të organit kompetent, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

2. Kushdo që pa autorizim zbulon të dhëna për identitetin apo të dhënat personale të personit të mbrojtur në procedurë penale apo në programin e veçantë të mbrojtjes, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.

3. Nëse vepra penale nga paragrafi 2 i këtij neni rezulton me pasoja të rënda për personin e mbrojtur ose procedura penale bëhet e pamundur ose vështirësohet në masë të madhe, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

4. Nëse vepra penale nga paragrafi 3. i këtij neni rezulton me vdekjen e personit të mbrojtur, kryesi dënohet me burgim së paku dhjetë (10) vjet ose me burgim të përjetshëm.


Neni 401 për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

1. Kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

2. Kushdo që merr pjesë në një grup të personave që me veprim të përbashkët pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

3. Udhëheqësi apo organizatori i grupit që kryen vepër penale nga paragrafi 2. i këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

4. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni përfshin kanosjen për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm ose rezulton me lëndim trupor, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

5. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet ndaj gjyqtarit, prokurorit, zyrtarit të gjykatës, zyrtarit të prokurorisë apo personit të autorizuar nga gjykata dhe prokuroria zyrtarit policor, zyrtarit doganor, zyrtarit ushtarak apo zyrtarit të shërbimit korrektues gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

6. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.