Gjykata Speciale të martën ka bastisur banesën e Artan Behramit, ish-këshilltar i Hashim Thaçit.
Behrami ka folur para gazetarëve, ku ka thënë se me veprime të tilla bastisjesh ZPS-ja ka për synim të marrë vëmendje mediale e të ngjallë frikë.
Ai ka theksuar se mënyra si po vepron Gjykata Speciale është e paprecedentë në historinë e të drejtës ndërkombëtare.
“Secili qytetar dhe shtetas i Kosovës në një formë është cak i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale. Kjo prokurori nuk ka policë për t’i bastisur 1.8 milionë shqiptarë të Kosovës, nuk ka prokurorë për të shkruar parashtresa për të akuzuar apo mos t’i akuzojë 1,8 milionë banorë. Kjo prokurori nuk i ka 1.8 milionë vende për t’i burgosur të gjithë qytetarët që janë në gjendje ta mbrojnë të vërtetën. Ata nuk vijnë për të marrë diçka, qëllimi i tyre është vëmendja mediale që aksione të tilla marrin dhe me këtë vëmendje shpresojnë të ndjellin frikë te qytetarët e Kosovës, por ne nuk jemi frikësuar as në vitet 90, as në luftë, as taktikave të njëjta që ka pasur regjimi i Millosheviqit, dhe as kësaj prokurorie”, ka deklaruar Behrami.