Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se nuk ka shenja se Bashkimi Evropian do të heqë masat që ka vendosur ndaj Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV, Palokaj ka theksuar se në BE insistojnë që masat e vendosura ndaj Kosovës ishin specifike dhe se arsyet për to ishin të shprehura.
“Nuk ka ndonjë shenjë, Sidomos nga Komisioni Evropian dhe nga Shërbimi i veprimit të jashtëm se masat mund të hiqen, pasi që insistojnë se ato ishin specifike, me arsye të shprehura dhe ato kishin të bënin me masat për shtensionim në veri, aty përmendet zhvillimi i zgjedhjeve lokale”, është shprehur Palokaj.
Sipas tij propozimin për heqje të masave ndaj Kosovës duhet ta bëjnë Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
“Dhe tash në BE, pavarësisht se çfarë thonë kur vizitojnë rajonin, vlerësimet se a kanë ndërmarrë apo jo Kosova masat e duhura, i japin Borrell dhe Lajçak, dhe ata së paku para vendeve anëtare nuk kanë dhënë ndonjë nismë që të hiqen masa”, ka thënë Palokaj.
Ai ka theksuar se është mirë që në procesin e dialogut, nëpërmjet këshilltarëve të liderëve të tyre e edhe të vetë liderëve, janë përfshirë Gjermania Franca e Italia, vende këto që, sipas Palokjat, e kanë fuqinë e imponimit ndaj palëve dhe peshën politike.
Ai ka theksuar se nëse këto vende duan që ta shtyjnë procesin e dialogun përpara, atëherë ato duhet ta mbajnë këtë angazhim në dialog.
Palokaj: Në BE nuk ka vullnet për të zbardhur rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë
Palokaj ka thënë se nuk beson që do të ketë sanksione ndaj Serbisë, as pas përfundimit të hetimeve për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Ai ka theksuar se nuk beson që në strukturat e BE-së e të NATO-s ka vullnet për të zbardhur rolin e Serbisë në këtë sulm.
“Nuk jam i sigurt që ka një vullnet për të zbardhur rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë, sepse atëherë do të duhej të merreshin masa shumë të ashpra ndaj Serbisë, shumë më të rënda sesa masat që janë marrë ndaj Kosovës”, është shprehur Palokaj.
“Kemi edhe hetime të disa shërbimeve të vendeve anëtare të NATO-s por edhe NATO-ja si NATO, edhe BE-ja si BE, varet shumë nga kontributi i shërbimeve të zbulimit të vendeve anëtare dhe aty ka vende anëtare që nuk janë të interesuara të sanksionohet Serbia, fundi i fundit ajo që ka ndodhur ishte edhe një goditje e rëndë edhe për imazhin e NATO-s dhe të KFOR-it”, ka shtuar Palokaj.