Arbëri

Palokaj: Vuçiqi e konfirmoi se s’do të zbatojë një pjesë të marrëveshjes

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se presidenti serb është shprehur në Bruksel se s’do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e sipas tij, kjo nënkupton moszbatim të marrëveshjeve të dakorduara.

Palokaj ka thënë në emisionin Konfront të KTV-së të enjten se pala serbe është shprehur se s’do ta njohë Kosovën dhe s’e njeh integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës.

“Vuçiq u shpreh i gatshëm të pranonte Asociacionin e edhe ai tha që takimi ishte si bazë për diskutime të mëtejme. Në një moment konfirmoi dyshimin e palës kosovare, ku tha se Serbia është e gatshme t’i zbatojë të gjitha obligimet. E kishte fjalën për marrëveshjen e nënshkruar në 2013-n e edhe ato të dakorduarat. Serbia s’do të pranojë anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara...Në njëfarë mënyre ai konfirmoi se s’do të zbatojë pjesë të marrëveshjeve pasi vetë Aneksi i Ohrit dhe Marrëveshja e shkurtit flasin për integritetin territorial”, është shprehur ai.

Sipas korrespondentit të KOHËS, situata aktuale në Bruksel është e paqartë, e siç tha ai, pritet reagimi i Bashkimit Evropian për takimet e sotme.

Palokaj tha se Vuçiq është shprehur se askush s’ia ka përmendur sanksionet Serbisë.