Arbëri

Rama: Kosova e ka futur veten në kurth, të nënshkruajë e vetme Marrëveshjen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova e ka futur veten në kurth me çështjen e pazgjidhur me Serbinë, e sipas tij, plani franko-gjerman është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës.

Ai ka thënë të martën para mediave se Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe të nënshkruajë njëanshëm Marrëveshjen e Brukselit, e siç ka thënë ai, më pas Serbia t’i lihet në dorë Bashkimit Evropian.

"Sot Kosova është futur në një kurth që ia ka bërë vetes, por s’ka qenë kurrë më mirë. Do të ishte dramatike të humbiste një të drejtë të fituar për të lëvizur lirisht në BE, dramatike, e ndërkohë të dyja palët kanë në tavolinë një plan franko-gjerman që është gjeja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Më e mira e mundshme. E mira e madhe e Kosovës është jo që të ulet në tavolinë, por e mira është të firmosë unilateralisht dhe të firmosë edhe sikur Serbia të mos e do kurrë (marrëveshjen). E pastaj t’ia lë në dorë BE-së e t’i thotë këto ishin planet e BE-së, këto ishin dokumentet.. Mjafton që në BE të futemi në një proces ku njohja e vendeve mosnjohëse të funksionojë. Paqja bëhet për vete, bëhet me armikun, jo me mikun”, ka deklaruar Rama.

Sipas kryeministrit, Kosova ka moment të artë në tavolinën e Brukselit “dhe i ka në krahë të gjithë aleatët, çlirimtarët dhe njohësit e saj”, duke shtuar se ajo “po mbytet në një lugë uji se çka po thotë presidenti i Serbisë”.

“Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe t’i dedikohet rrugës së saj evropiane duke u sjell si tjetër Evropë në Ballkan bashkë me Shqipërinë. Këto që i tha presidenti s’janë kushte që i vë BE-ja, janë mundësi themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes. Për mua nuk diskutohet që Shqipëria do të vazhdoj të mbajë flamurin e paqes dhe të dialogut...Të gjitha ato që lidhen me veriun të papranueshme, të dënueshme. Zija në Beograd ishte skandal antievropian, kjo është, por s’mund të jetë arsye për të frenuar procesin”, ka shtuar kryeministri i Shqipërisë.

Ai është shprehur para presidentit Macron se Kosova i ka marrë “sytë e miqve mbi vete” e sipas tij, qëndrimi i Kosovës mund t’u japë shteteve aleate argumente që mund t’i mërzisin dhe t’i zhgënjejnë “e kjo mund të ketë një kosto që nuk e llogarisim sot”.

“Dje kemi pasur një bisedë të hapur informale në dreken e punës me të gjithë liderët, përfshirë edhe kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë. Kryeministri Holandez Ruth tha mos harroni që ‘një kompromis më shumë sesa çfarë do të fitosh është çfarë nuk duhet të humbasësh’. Nëse bëjmë me sytë tanë këtu në Tiranë, një llogari të gjerave për t’u humbur nga shqiptarët, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe kudo, është më e madhe dhe me një kosto më të lartë sesa llogaria e atyre që duan të fitojnë duke dashur t’i marrin si të mirëqena këto që s’i humbasin. Për mua, shqiptarët në rajon janë në ditën e tyre më të mira në histori.”