Policia vazhdon ta kontrollojë zonën malore të Banjskës
Foto: Alban Bujari / KOHA
Pjesëtarë të njësive speciale e hetues që kanë vazhduar ekzaminim në vendin e ngjarjes janë parë edhe të enjten në Banjskë të Zveçanit, ku të dielën një grup sulmues nga Serbia vrau një polic e plagosi disa të tjerë. Kontrolle janë bërë edhe përreth zonës malore me njësitin e qenve të Policisë së Kosovës, K9
Policia e Kosovës ka patrulluar të enjten edhe me njësitin e qenve “K9” përreth zonës malore të Banjskës për të identifikuar trupa potencialë të vdekur nga grupi i armatosur serb në sulmin e së dielës së 24 shtatorit.
Patrullimi me njësinë e qenve u bë edhe për të parë nëse ka armatim tjetër që ky grup ka mundur ta linte pas në ikje e sipër.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, ka thënë se shumicën e zonës tashmë e kanë kontrolluar, por që nuk kanë gjetur asgjë.
“Ne kemi kontrolluar shumicën e zonës, ku kohë pas kohe sjellim njësitë e specializuara, siç shihet njësiti K-9 me qen, të cilët janë duke verifikuar komplet zonën... Sot jo (nuk është gjetur asgjë)... Kemi shumë policë sot këtu, jemi duke bërë kërkimin përsëri në disa zona të caktuara, situata është e qetë, mirëpo jemi të përgatitur për çfarëdo situate që ndodh... Deri tani nuk kemi gjetur diçka, kemi kërkuar goxha mirë”, ka thënë Elshani.
Hetuesit kanë vazhduar ekzaminimin e vendit të ngjarjes
E gjurmët nga sulmi i së dielës vazhdojnë të jenë prezente që në hyrje të fshatit Banjskë ku grupi sulmues kishte vendosur barrikadat mëngjesin e së dielës.
Ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga ana e hetuesve të policisë dhe prokurorisë ka vijuar edhe të enjten tek ura e cila ishte barrikaduar me kamionë, dhe u ishte bërë prita policëve ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Skaj rrugës janë ende kamionët e dëmtuar që ishin shfrytëzuar për ta mbyllur urën për qarkullim.
Patrullime bëhen edhe rrugicave që shpien drejt pjesës së sipërme të fshatit. Manastiri që ishte shfrytëzuar nga grupi terrorist ka qenë i mbyllur edhe të enjten. Pjesëtarë të njësisë speciale dhe një automjet i rëndë qëndronte gjatë tërë kohës para hyrjes së këtij objekti të kultit.
As brenda oborrit të kishës nuk ka pasur lëvizje të klerikëve apo banorëve.
Derisa ekipi i “Kohës” qëndroi aty, para manastirit erdhi një banor që i kërkoi policisë leje për të fotografuar objektin.
Fillimisht policët që qëndronin para kishës kërkuan nga baza që t’ia bënin verifikimin. Me përjashtim të tri incidenteve në trafik, përmes radiolidhjes u konfirmohet se personi nuk kishte ndonjë vepër penale. Qytetari serb nuk deshi të prononcohej para kamerave, por prapa tyre tha se dy vetura i janë djegur si pasojë e sulmit të së dielës.
As lëvizjet në rrugët e fshatit nuk janë të shumta, me përjashtim të atyre që kishin dalë për t’u furnizuar me ushqime në marketet që janë hapur. E mbyllur për nxënësit është edhe shkolla në hyrje e këtij fshati.
Banorët e frikësuar
Banorët e paktë që frekuentojnë rrugët refuzojnë të flasin para kamerave, prapa tyre ata nuk hezitojmë t’i tregojnë gjurmët e plumbave që kishin goditur shtëpitë e tyre.
“Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Kam qenë në këtë pjesën e podrumit të shtëpisë duke bërë kafen e mëngjesit kur kanë rënë plumbat e parë në dritare”, thotë një banor afër zonës ku ishte shkëmbyer zjarri mes policisë së Kosovës dhe grupit sulmues, teksa drejton gishtin kah vrima e xhamit.
“Falë zotit nuk e pësoi dikush nga familja brenda pasi kemi fëmijë një e tre vjeç. Por kanë qenë shumë të frikësuar. Shpresojmë të mos përsëriten më gjëra të tilla pasi në fshatin tonë asnjëherë nuk kemi pasur probleme”.
Përveç qendrës së fshatit edhe sipërfaqet e tjera malore kanë qenë të mbushura me pjesëtarë të Njësisë Speciale.
Patrulla të Njësisë Speciale ka pasur edhe në rrugën magjistrale Zveçan-Leposaviq. Ndërsa qarkullimi i veturave në rrugën që shpie drejt pikës kufitare në Jarinjë nuk është i madh.
Kjo pikë kufitare vazhdon të jetë e mbyllur për automjetet që hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës. Ndërkaq ata qytetarë që duan të shkojnë në Serbi mund të kalojnë pasi kryhen kontrollet kufitare. Me përjashtim të maunave transportuese, pasditen e së enjtes nuk ka pasur frekuentim të madh në këtë pikëkalim kufitar.
Si pasojë e sulmit të armatosur në Banjskë të dielën u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa sulmuesit e tjerë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.