Dioqeza Rashkë-Prizren ka refuzuar që institucionet e Kosovës ta restaurojnë Manastirin e Banjskës, pas sulmeve nga grupet e armatosura serbe të dielën, që dëmtuan strukturën e tij. Një ditë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u zotua se Kosova do të kryejë vlerësimin dhe më pas do të merret me restaurimin, dioqeza ka refuzuar deklarimin duke thënë se ka kapacitete për ekspertizë të pavarur dhe t’i restaurojë vetë ato.
Një ditë më parë, në mbledhjen e Qeverisë, ministri Çeku deklaroi se sulmi i armatosur përpos qëllimit për destabilizim të Kosovës, kishte qëllim edhe shkaktimin e dëmeve të marrëdhënieve fetare e etnike.
“Terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre ka qenë që përveç dëmit fizik në Manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë. Qeveria e Kosovës deri tash ka dhënë dëshmi të panumërta të vullnetit për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse”, ka thënë Çeku.
Për intervenimet e nevojshme në objektin e Manastirit, ministri ka thënë se janë duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme për autoritetet e trashëgimisë kulturore të bëjnë vlerësimin e dëmeve.
“Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri”, ka thënë ministri për Kulturë, Rini dhe Sport në mbledhjen e Qeverisë.
Të njëjtin qëndrim ai e ka përsëritur edhe në Twitter.
Ndërsa, Dioqeza Rashkë-Prizren, në një reagim në uebfaqe të enjten ka thënë se Çeku “ka refuzuar ta identifikojë manastirin si pjesë të Kishës Ortodokse Serbe”.
Dioqeza është ankuar “për mohim të vazhdueshëm të identitetit shpirtëror e fetar në Kosovë ndër vite”.
Duke e konsideruar situatën të papranueshme, Dioqeza ka thënë se “nuk mund ta pranojë ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës në jetën në kishë dhe marrjen në mbrojtje të Manastirit të Banjskës”.
“Ne e shohim këtë iniciativë si akt politik që nuk ka qëllim vetëm që ta vendosë trashëgiminë fetare e kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nën kontrollin politik të institucioneve të Kosovës, por edhe si hap tutje për degradimin e mëtejmë të lirisë dhe të drejtave tona fetare dhe përvetësimin kulturor të kishave dhe manastireve tona”, thuhet në reagimin e Dioqezës.
Të dielën në Banjskë të Zveçanit nga një grup i organizuar e i armatosur serb u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues, Policia rrethoi grupin me dhjetëra persona të uniformuar. Ata u strehuan në Manastirin e Banjskës. Në aksionin e Policisë u vranë tre persona ndërsa u arrestuan tetë. Të tjerët kanë ikur. Pamjet nga droni të policisë kanë treguar lëvizjet e të uniformuarve në hapësirat e manastirit.