Arbëri

Mblidhen 32 mijë dollarë në SHBA për familjen e policit Bunjaku

Mbi 32 mijë dollarë janë mbledhur në një organizim të Shoqatës Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit për ta mbështetur financiarisht familjen e policit Afrim Bunjaku, që u vra nga një grup i armatosur serb në Banjskë të Zveçanit të dielën.

Shoqata pati nisur para dy ditësh iniciativën për mbledhjen e fondeve. Synimi ishte të mblidhen 40 mijë dollarë e deri tash janë grumbulluar mbi 32 mijë.

Të mërkurën, mbështetje familjes do t’i bëjë edhe Qeveria e Kosovës. Siç bëhet e ditur në rendin e ditës për mbledhjen e 162-të të Qeverisë, pika e dytë është “shqyrtimi i propozim-vendimit për mbështetje të familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, të rënë në detyrë, në Banjskë”. Për vendimin do të adresohet Ministria e Financave.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.