Arbëri

Politikani serb: Të ndalohet puna politike e organizatës kriminale “Lista Serbe”

Nikola Sanduloviq

Politikani opozitar i Serbisë, Nikola Sanduloviq, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me një letër të hapur, pas ngjarjeve të fundit në veri.

Presidenti i Partisë Republikane të Serbisë, Sanduloviq, i ka propozuar Kurtit që ta ndalojë punën e Listës Serbe, të cilën e ka quajtur organizatë kriminale.

“Po të isha në vendin tuaj, do ta ndaloja menjëherë punën politike të organizatës kriminale ‘Lista Serbe’, sepse Milan Radoiçiq, njeriu që e drejton atë organizatë, është etiketuar si organizator i një aksioni terrorist me qëllim të provokimit të një lufte tjetër mes serbëve dhe shqiptarëve në territorin e Kosovës. Me këtë veprim do t’i tregoni popullit serb se jeton në një shtet ku kriminelët nuk guxojnë dhe nuk munden të sundojnë me jetën e tyre duke u fshehur pas një organizate politike, dhe se aty është një shtet që i mbron. Nëse nuk e bëni këtë, a është e sigurt se ata nuk do të organizojnë sërish diçka të tillë apo më të rëndë?” – thuhet në letrën e Sanduloviqit të publikuar në “Facebook”. “Me ndalimin e ‘Listës Serbe’ dhe aktivitetit të tyre politik në territorin e Republikës së Kosovës, ju do t’i jepni shans partive normale serbe të cilat do të kenë një bashkëpunim normal me ju pa frikë nga Lista Serbe dhe do të arrijnë paqen për të gjithë ju në Kosovë”.

Sanduloviq i ka thënë Kurtit të kërkojë nga BE-ja dhe SHBA-ja që t’i bëjnë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që t’i dorëzojë terroristët që vranë një polic të Kosovës e lënduan tre tjerë.

“Në të kundërtën thuani se do të ndaloni çdo negociatë të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit me autoritetet aktuale në Beograd. Çfarë negociatash të mëtejshme duhet të bëni me një njeri që organizon aksione terroriste dhe nuk i nxjerr fajtorët para drejtësisë?” – tha Sanduloviq. “Nëse Beogradi nuk i dorëzon terroristët, dhe sigurisë se nuk do t’i dorëzojë pasi vetë i ka dërguar në Kosovë, dhe nëse BE-ja e SHBA-ja nuk bëjnë asgjë për këtë, atëherë ndaloni negociatat e mëtejshme për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sepse Aleksandar Vuçiq nuk do ta njohë kurrë Kosovën, madje edhe nëse e humb gjithë Serbinë”.

Sanduloviq këtë vit kishte bërë homazhe në Kosovë te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai kishte kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.