Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri kombëtare në Partinë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë momentumin pas sulmit terrorist në Manastirin e Banjskës për të marrë avantazh në tryezën e negociatave.
Kabashi-Ramaj ka theksuar se Kosova duhet të kryejë hetim të jashtëzakonshme për këtë rast në bashkërendim me ndërkombëtarët dhe së bashku, sipas saj, të gjejnë hapa konkretë që të mbyllet skenari ku Serbia mund ta destabilizojë Kosovën.
“Një rast i tillë duhet hetuar deri në fund për të arritur një transparencë, kush e organizoi, cili ishte qëllimi përfundimtar... Prej asaj që kemi pa, një sulm terrorist i tillë është përkrahur nga Qeveria e Serbisë. Por duhet të ja lëmë hetuesisë. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum, së bashku me aleatët të gjejnë hapa konkretë që të mbyllet skenari ku Serbia mund të destabilizojë Kosovën. Qeveria nuk duhet ta humbë mundësinë që iu ka dhanë, me realizu një hetim të jashtëzakonshëm së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe për ta gjetur një avantazh në tryezën e negociatave dhe të jetë superiore ndaj Serbisë”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.
Kabashi-Ramaj ka vlerësuar se “ndoshta ka qenë një prej fazave fillestare të operacionit” momenti kur Policia e Kosovës ka zënë grupi terrorist në Banjskë të dielën.
“Nuk kisha dasht me spekulu para se përfundojë komplet hetimi. Ka pasur tendencë për eskalim, por deri ku kanë dashur të shkojnë nuk e di. Duhet të hetohen shumë pista. Ka qenë ndoshta një prej fazave fillestare të operacionit. Fatmirësisht, i kemi zënë me kohë”, ka thënë ajo.
Kabashi-Ramaj ka thënë se tani Kosova duhet të tregojë shumë maturi, pasi “një rast i tillë është dëshmi konkrete e rolit destruktiv të Serbisë në rajon”.
Anëtarja e PDK-së ka thënë se me dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës është krijuar një vakum i sigurisë në veri dhe kjo, sipas saj, është shfrytëzuar nga këta persona për veprime terroriste.
Ky rast, siç thotë Kabashi-Ramaj, është alarmi i fundit për shtetin e Kosovës që në “sektorin e sigurisë kombëtare duhet pasur kontinuitet, konsistencë dhe unitet”.
Ajo ka përgëzuar Policinë e Kosovës për “reagimin në mënyrë shumë efikase dhe shumë profesionale”.