Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje t’u kthehen bisedimeve dhe zbatimit të marrëveshjes
Dy ditë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit autoriteteve në Kosovë dhe Serbi u është kërkuar që t’i kthehen tavolinës. SHBA-ja e Gjermania kanë përsëritur nevojën për nisjen e zbatimit të marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe të Aneksit të saj në Ohër. Por, kryeministri Kurti nuk u ka dhënë përgjigje këtyre thirrjeve.
Diplomatë të akredituar në Kosovë kërkuan vazhdimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas sulmit që në Banjskë të Zveçanit një grup paraushtarak serb bëri ndaj Policisë së Kosovës, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, takoi të martën presidenten Vjosa Osmani. Ajo shprehu pritjen që të dyja palët të angazhohen në procesin e lehtësuar nga BE-ja.
“Ne duam të shohim Marrëveshjen e Ohrit të zbatuar në plotni nga të dyja palët dhe mendojmë që dialogu është mënyra për ta arritur këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet në Kosovë e Serbi që të avancojmë në këtë drejtim”, tha Hovenier.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se sulmi ndaj policëve thekson nevojën për të vazhduar bisedimet.
“Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit tani”, tha Rohde.
Kërkesën për t’iu kthyer dialogut e ka shtruar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë.
Por, thirrjeve ndërkombëtare nuk iu përgjigj kryeministri Albin Kurti.
E, vazhdimin e procesit nuk e sheh të mundur ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.
“Borell dhe Lajçak në çfarë planeti janë, duhet të japin dorëheqje pas sulmit hegjemon të Serbisë ndaj Kosovës. Tash BE-ja duhet ta suspendojë Serbinë e terroristëve nga integrimi evropian; të shkarkojë dy ndërmjetësuesit. Kosovën e ndëshkuan kur bëri gabime, tash pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë asnjë kuptim”, tha Tahiri.
Për dallim nga fundi i majit, kur Kosova u bë përgjegjëse për tensionet në veri, ndërkombëtarët tani u kanë ofruar mbështetje autoriteteve për të ndjekur dhe për të sjellë para drejtësisë pjesëtarët e një formacioni paraushtarak serb që la të vrarë një polic e një tjetër të plagosur.