Disa shtetas maqedonas të cilët gjendeshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, kur ndodhi sulmi ndaj policëve të Kosovës, janë kthyer në Maqedoninë e Veriut nën shoqërimin e Policisë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se shtetasit maqedonas janë liruar pas intervistimit dhe procedurave të tjera të zakonshme të Policisë.
“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga policia e Republikës së Kosovës, sot në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga policia e Kosovës. Rrethanat në të cilat u gjendën ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë”, thuhet në njoftim.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme është njoftuar menjëherë për këtë situatë përmes kanaleve të rregullta duke shtuar se ka qenë në kontakt personalisht me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
“Gjatë gjithë procesit, shërbimet e Kosovës garantuan sigurinë e qytetarëve tanë dhe ambasada jonë në Prishtinë ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta”, ka shkruar ai.
Gjatë sulmeve të së dielës në Banjskë të Zveçanit një polic i Kosovës ka humbur jetën dhe tre janë plagosur.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.