Arbëri

Osmani takon Bidenin: Aleanca e lirisë, aleanca e përjetshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden.

“Aleanca e lirisë. Aleanca e përjetshme”, ka shkruar Osmani në një fotografi që e ka publikuar në Facebook.

Presidentja nga 17 shtatori gjendet në New York, ku ka zhvilluar takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare. Vizita po zhvillohet në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Në një komunikatë për media të Presidencës thuhet se Osmani ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

“Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të. Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova”, thuhet në njoftim.

Pas këtij bashkëbisedimi, thuhet se “Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës”. “Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit”, thuhet në njoftim.