2 perditesime
21:37

Abazi thotë se s’do të votonte për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Deputeti i pavarur Haki Abazi, ka thënë se nuk do të votonte për rrëzimin e Qeverisë Kurti në rast se do të bëhej një mocion mosbesimi.

“Unë s’kam votë kundër Qeverisë Kurti. Qeveria Kurti dha premtime me reformu këtë vend në një mandat katërvjeçar me rezultate të mira që potencialisht do t’i jepnin edhe një mandat tjetër me riparu vendin nga të këqijat e 20-vjeçarit të kaluar. Fatkeqësi çfarë ka ndodhur në shumicën e dikastereve. Por, qytetari e meriton deri në fund të analizojë këtë mendësi qeverisëse. Mandati duhet të përfundohte. S’dua që Kurti të kthehet si viktimë e të kthehet me më shumë vota”, ka thënë Abazi në “Konfront” të KTV-së.

Ai ka thënë se qytetarët kishin shpresa se Vetëvendosje do të “mobilizonte masën e ekspertizës e dijës, do t’i fuste në dikastere njerëz që munden me ndihmu me ndërtu vizionin”.

“Por, përfunduam realisht në një parti klub, nëse ia puth dorën z. Kurtit je rahat”, ka thënë Abazi. “Është e njëjta skemë si qeverisjet e kaluara”.

21:11

Abazi: Popullizmi e tejshfrytëzimi i temës së Asociacionit solli në këtë përplasje me BE-në

Ish-deputeti i Vetëvendosjes që tash vepron si deputet i pavarur, Haki Abazi, ka thënë se “popullizmi, tejshfrytëzimi e shtrydhja e temës së Asociacionit ka sjellë në një përplasje me BE-në”.

Abazi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se është krijuar “një eufori e brendshme se Kosova mund të luftojë me BE-në, SHBA-në dhe të tjerët në këtë definim të së drejtës sonë”.

“Popullizmi, tejshfrytëzimi e shtrydhja e temës së Asociacionit ka sjellë në një pëplasje me BE-në dhe në një eufori të brendshme kinse me mund të luftojmë me BE-në, SHBA-në dhe të tjerët në këtë definim të së drejtës sonë. Definimi i së drejtës sonë është kryer në vitin 2008. Njohja de facto ka ndodhur atëherë. Bile mendoj se në një masë të caktuar me vendimin e GJND-së, po të mos bëheshin gabime e rrëshqitje në dialog, do të duhej konsideruar edhe fundi i çështjeve juridike mes Kosovës e Serbisë”, tha Abazi.

Abazi ka thënë se nuk është bërë dhe ka ardhur tash në një situatë ku ka përplasje me bashkësinë ndërkombëtare.

Abazi ka thënë se vërehet një nervozizëm i skajshëm veçanërisht te zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për atë që ndodhi në Bruksel në javët e fundit.

Abazi ka thënë se Serbisë i konvenon gjendja në të cilën aktualisht është Kosova.

“Serbisë i konvenon që Kosova të mbetet si është pa investues, pa përkrahje ndërkombëtare, me ikje masive të trurit të vendit, e dështimi në sektorët vitalë të vendit. Serbisë i konvenon kjo gjendje ku jemi futur”, tha Abazi. “E ne mund të shesim patriotizëm se çfarë është arritur”.

Gjinovci: Kosova nuk është në gjendje të rëndë e as e kërcënuar

Aktivisti Rron Gjinovci ka thënë se nuk pajtohet me deklarimet se Kosova është në gjendje të rëndë e as që Marrëveshja e Brukselit është e keqe.

“Unë nuk pajtohem me këtë tentativë të krijohet narrativë se marrëveshjet janë shumë të këqija, e janë katastrofë për Kosovën. Asnjë prej këtyre marrëveshjeve nuk u bë të zbatohen. S’kanë me u zbatu, ideja është mos me u zbatu e me u shty përtej dy palëve çështja. Kosova nuk është e interesuar me u marrë me këtë punë, pasi po shihet se disponimi i SHBA-së dhe i BE-së është të ket ëstabilitet. Kur është kështu, i bie që do të zgjidhet çështja në kurriz të Kosovës”, tha Gjinovci në “Konfront” të KTV-së. “Kosova nuk është në gjendje shumë të rëndë, e as shumë e kërcënuar”.

Sa i përket rrëzimit të kryetarëve të komunave përmes peticionit, Gjinovci ka thënë se kjo vetëm sa e forcon demokracinë.

Image
20:33

Abazi kritikon qasjen vetanake dhe kokëforte të Kurtit në dialog: Politikë e ndërtuar mbi popullizmin

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që tani vepron si i pavarur në Kuvend, Haki Abazi, ka hedhur kritika për kryeministrin Albin Kurti, për siç tha ai, qasjen vetanake dhe kokëforte të tij në dialog, duke shtuar se kjo qasje është veç përsëritje e qeverive të kaluara.

Abazi ka thënë se edhe në mbledhjet e Grupit Parlamentar të VV-së i është Kurtit se ky rrugëtim në dialog është përsëritje e asaj që kanë bërë qeveritë e kaluara dhe se do të çojë në përplasje me ndërkombëtarët.

“E kam thënë gjatë mbledhjeve të GP të VV-së, drejtimi dhe pozicionimi i tij [Kurtit v.j.] kundrejt dialogut do të përfundojë kështu. Kosova do të duket shumë keq. Analizat vetanake dhe kokëforte të Kurtit do të na çonin në përplasje. Në takimin e GP-së kur është bërë një informim i lehtë sepse s’ka pasur kurrë informim tamam, i është thënë edhe Kurtit dhe Bislimit që ky rrugëtim, kjo qasje është përsëritje e qeverive të kaluara. Politika e Kurtit është e ndërtuar mbi populizmin”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Sipas Abazit, Kurti i ka lënë pa informacion se çfarë po ndodh në dialog edhe deputetët e VV-së, edhe ambasadorët, por edhe disa nga deputetët e Parlamentit Evropian që kanë qenë të kujdesshëm ndaj Kosovës.

“Mungesa e lobimit në SHBA, mosdhënia e instruksioneve të qarta të ambasadorëve në shtetet e Bashkimit Evropian për pozicionimin në dialog e mosinformimi i VV-së ka krijuar zbrazëti. Dhe loja me taktikë pa asnjë strategji, siç ishte çështja me targat. Shumica e parlamentarëve evropianë që kanë qenë të kujdesshëm ndaj Kosovës, s’ka pasur dijeni se çfarë ndodhte me dialogun. Ne [deputetët e VV-së] e kemi ndërtuar argumentin mbrojtës në ndonjë rast, por s’kemi pasur informacione”, ka thënë ai.

Me qasjen e tij në dialog, Abazi ka thënë se Kurti ka larguar nga agjenda një sërë prioritetesh siç është anëtarësimi në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s e deri te sanksionet e BE-së.

“Tani, Kosova shihet si një faktore jostabiliteti. Ne e njohim Vuçiqin, e njohim Serbisë, por e rëndësishme është se çka shkruhet sot në Berlin, Uashington, Paris”, ka thënë deputeti i pavarur.