Biznesmenë nga komunitetet joshumicë përfitojnë mbështetje nga Qeveria
Foto: Driton Paçarada\KOHA
99 pjesëtarë nga komunitetet joshumicë kanë nënshkruar kontrata të martën me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Përmes tyre, ata do të përfitojnë mbështetje financiare për ndërmarrjet që drejtojnë. Puna e tyre, sipas ministrit Nenad Rashiq, do të mbikëqyret çdo dy vjet, e nga rezultatet e saj do të varet edhe mbështetja e mëtutjeshme. Përkrahje për pjesëtarët e komuniteteve premtoi edhe kryeministri Kurti
Radhë e gjatë e pritjes u krijua të martën në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Pjesëtarë nga komunitetet joshumicë qëndruan për një kohë në pritje të kryeministrit Albin Kurti e ministrit për Komunitete e Kthim, Nenad Rashiq, për të marrë mbështetjen financiare për ndërmarrjet që drejtojnë.
Para se t’i nënshkruanin kontratat, një nga një, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ua kujtoi përgjegjësitë që kanë 99 përfituesit, e nga të cilat do të varet edhe vazhdimi i përkrahjes.
"Kjo do të thotë se ne do t’ju përcjellim, për çdo dy vjet kemi obligim të vlerësojmë punën tuaj dhe nëse ai vlerësim tregon që ju jeni të gatshëm dhe të aftë të pranoni më shumë mbështetje, Ministria do të ofrojë mbështetje shtesë. Ky është një projekt, i cili është si partnership për të ardhmen. Kjo është një strategji afatgjatë, e cila ju siguron që gjithmonë do të keni institucionet pranë jush", ka thënë Rashiq.
E, kryeministri Albin Kurti tha se përkrahja që është në kuadër të pakos prej 3 milionë eurove do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Tha se nga mbështetja që është duke dhënë Qeveria, janë krijuar vende të reja pune për bizneset ekzistuese, fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale. Ka përmendur edhe planifikimet për komunat me shumicë serbe.
“Ndërkaq, në buxhetin e shtetit për komunat me shumicë serbe në vitin 2023 janë planifikuar gjithsej 149 projekte kapitale në vlerë prej 12.35 milionë euro. Qasja jonë është holistike, qëllimi ynë është mirëqenia për të gjithë përmes politikave që janë gjithëpërfshirëse, që do të thotë se gjithëpërfshirja është qasja jonë”, ka thënë Kurti.
Një anëtar i kabinetit të tij paralajmëroi pjesëmarrësit se agjenda e kryeministrit është e ngjeshur, megjithatë ai qëndroi në nënshkrimin e disa prej kontratave. Madje, njërit prej përfituesve i doli në ndihmë edhe duke ia ofruar stilolapsin.