Arbëri

Palokaj: S’ka heqje të masave, Borrelli fajësoi më shumë Kosovën

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se s’ka sinjale se Kosovës do t’i hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, derisa ka shtuar se në takimin trepalësh në Bruksel, pala kosovare u fajësua më tepër.

Palokaj ka thënë të enjten se shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është shprehur se veprimet e Kosovës për shtensionim të situatës janë të mirëpritura, por të pamjaftueshme.

“Ajo që mund të them me një bindje është që s’do të ketë heqje të masave ndaj Kosovës pasi Borrelli më shumë fajësoi palën kosovare se atë serbe, ndonëse tha se parimi që njëra palë të japë diçka që të marrë diçka, duke përmendur 3-4 çështje, tha se palët janë në shkelje të obligimeve. Siç e dimë, masa ka pasur vetëm ndaj palës kosovare dhe është për t’u pritur që në rrethana të tilla s’mund të pritet heqje e masave, a do të ketë masa ndaj Serbisë vështirë të thuhet”, ka theksuar korrespondenti i KOHËS.

Ai ka potencuar edhe se palët të enjten përmendën mundësinë e ritensionimit të situatës në veri.