Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, teksa ka treguar se si është ndaluar drejtori i Admnistratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, nga Policia e Serbisë, ka bërë thirrje për lirimin e tij.
Rashiq të dielën në një konferencë për media ka thënë se po punohet në mbrojtjen e Radimiroviqit dhe në gjetjen e ndihmës juridike që sa më shpejt të lirohet nga paraburgimi, teksa këtë arrestim e ka cilësuar si mënyrë e thjeshtë e frikësimit dhe tensionimit nga ana e Serbisë.
“Edhe vetë Nikolla është një prej viktimave që është në paraburgim. Duhet ta mbrojmë Nikolla Radimiroviqin, jam në kontakt me zëvendësin tim që merret me këtë, që ta gjejmë ndihmën adekuate juridike për të që sa më shpejtë të dalë nga kjo gjendje. Është një metodologji që po zbatohet që 7-8 vjet. Çdoherë që jam përpjekur ta kaloj kufirin, jam ndaluar për disa orë. Për këtë nuk ekziston asnjë bazë ligjore, asnjë deklaratë apo padi nga ana e policisë. Ky është kulmi i asaj metodologjisë së vjetër që aplikohet për 7-8 vjet për mua dhe bashkëpunëtorët e mi. Kjo është mënyrë e thjeshtë e frikësimit dhe tensionimit”, ka thënë ai.
Teksa ka treguar se si është ndaluar Radimiroviqi në kufi bashkë me të fejuarën e tij, Rashiqi ka thënë se sipas informacioneve që kanë, ai do të mbahet në paraburgim së paku deri të hënën.
“Ka ndodhur së pari një ndalim në pikën kufitare, është mbajtur aty 4 orë, është marrë në pyetje prej anës së personave që e kanë prezantuar vetëm si anëtarë të BIA-s. Pas një kohe të gjatë, prej 9:30 është marrë në pyetje deri në orën 19:00-20:00, prej atyre organeve që e kanë transferuar në stacionin e policisë në Rashkë dhe prej atij momenti po mbahet atje dhe sipas informacioneve do të jetë aty së paku deri të hënën pasi gjyqtari nuk është aty dhe kur të vijë të hënën do të merret me rastin. Po guxoj të supozoj që kjo është një prej pjesës metodologjisë shantazhuese”, ka thënë ai.
Sipas ministrit, i ndaluari është ngarkuar me veprën penale “Shkelja e rendit kushtetues”.
Peticioni për shkarkim të kryetarëve në veri, Rashiq: S’shoh vullnet nga qytetarët
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk sheh vullnet te qytetarët në veri të vendit që të marrin pjesë në iniciativa të tilla si peticioni për shkarkim të kryetarëve të katër komunave veriore.
Në konferencën për media të mbajtur të dielën ku foli për arrestimin e drejtorit të Admnistratës në Komunën e Leposaviqit, Nikolla Radimiroviq, nga Policia e Serbisë, Rashiqi u pyet edhe për zgjedhjet e mundshme lokale në këto komuna.
“Nuk shoh vullnet pozitiv as të qytetarëve në veri e as atyre radikalëve që këtë proces ta sjellim deri në fund”, është shprehur ai.
Së fundmi është hartuar edhe udhëzimi administrativ që lejon shkarkimin e kryetarëve me anë të peticionit nga qytetarët. Ky udhëzim administrative është hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.