Arbëri

Salihu: Komunat me shumicë serbe nuk japin premtime dhe as nuk bëjnë fushatë

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka deklaruar se në raportin e fundit të publikuar lidhur me realizimin e premtimeve të dhëna nga komunat, nuk janë të listuara edhe ato që janë të populluara me shumicë serbe.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Salihu ka thënë se nuk ka të dhëna të këtyre 10 komunave sa i përket premtimeve zgjedhore.

“Ne si institut e kemi të pamundur të listojmë ndonjë premtim nga 10 komunat me shumicë serbe. Pra, nuk ka të dhëna të komunave të banuara me shumicë serbe sa i përket premtimeve zgjedhore, po ashtu edhe komuna e Mamushës që popullohet me shumicë turke nuk ka premtime zgjedhore për shkak se edhe aty përgjithësisht nuk zhvillohet ndonjë garë aktive elektorale gjatë fushatave zgjedhore”, ka thënë ai.

Salihu ka shtuar se për 27 komunat të cilat janë monitoruar, janë dhënë 1816 premtime, dyfish më shumë sesa në mandatin 2017-2021, kur ishin dhënë gjithsej 930 premtime.

“Besoj që një prej shkaqeve që ka ardhur deri te ky numër kaq i madh i premtimeve është se është rritur gara lokale mes kandidatëve dhe natyrisht që kur rritet gara lokale, rritet edhe oferta”, është shprehur hulumtuesi i GAP-it.

Ai ka shtuar se fusha e infrastrukturës ka prirë në premtimet e të gjitha komunave, por ku më së paku është punuar në realizim të tyre.

Sipas një hulumtimi që Instituti GAP e ka publikuar të enjten, deri më tani janë përmbushur 26 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave, gjysmë të përmbushura janë 16 për qind dhe 23 për qind e tyre kanë filluar të përmbushen.