I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është takuar të mërkurën me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin tha se ka diskutuar mbi takimin e ardhshëm në Bruksel.
Lajçak ka shkruar në Tëitter se me Bislimin kanë pasur diskutim të gjatë dhe thelbësor “në përgatitjen e takimit të dialogut të nivelit të lartë në javën e ardhshme”.
“Fokusi ynë kryesor ishte se si të avancojmë normalizimin e raporteve”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, Bislimi ka deklaruar se Kosova mbetet konstruktive në procesin e dialogut dhe insiston “në sigurimin e barazisë së plotë mes palëve”.
“Marrëveshja Bazë duhet të zbatohet në tërësi dhe pa vonesë. Një plan me renditje të drejtë dhe të balancuar është thelbësor”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 14 shtator në Bruksel. Autoritetet kosovare kanë deklaruar se në Bruksel do të udhëtojnë për zbatim të Marrëveshjes dhe të Aneksit të Ohrit.