Arbëri

Pacientët të shqetësuar për shkallën e korrupsionit, në Odën e Mjekëve thonë se s’mund të marrin masa

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Foto: Ilustrim

Është kërkuar masa e paraburgimit ndaj mjekut të QKUK-së, të arrestuar një ditë më parë nën dyshimet për marrje të ryshfetit. Në shoqatën e pacientëve ngritën shqetësimin për nivelin e lartë të mitos në QKUK, e në Odën e Mjekëve thanë se u pamundësohet të marrin masa ndaj anëtarëve që u arrestohen, pa vendim të formës së prerë nga gjykata.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masë paraburgimi për mjekun e arrestuar një ditë më parë në QKUK, nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

E kjo masë pritet të shqyrtohet në seancën që do të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore.

“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës kompetente, ndaj S.D., për shkak të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet nga Prokuroria Themelore.

Mjekut të Klinikës së Ortopedisë, me inicialet S.D., sipas Policisë, i janë konfiskuar një sasi e të hollave, një telefon si dhe disa pajisje mjekësore.

“Nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha Policia e Kosovës.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka reaguar në Facebook, duke thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore.

“Drejtoria e SHSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore. Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të parregullsive”, u tha nga SHSKUK-ja.

Në Shoqatën e Pacientëve thonë se niveli i marrjes së mitos është i lartë në institucionet shëndetësore.

“Niveli i mbikëqyrjes për këto raste është nivel i ulët dhe mjeku sillet sipas mënyrës së tij në institucion shëndetësor. Duhet të ketë mekanizëm që kontrollon qasjen e pacientëve në shërbime shëndetësore duke përfshi marrjen e shërbimit në përgjithësi. Duke mos u abuzuar nga mito që duhet të japë për marrjen e shërbimit”, tha Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve.

E në Odën e Mjekëve thanë se asnjëherë nuk u morën për bazë kërkesat që do të zvogëlonin mundësinë për keqpërdorim të detyrës.

Kryetari i Odës, Pleurat Sejdiu, u ankua edhe në rregullativën ligjore që pamundëson marrjen e masave ndaj mjekëve, si në rastin e specialistit të ortopedisë.

“Konsiderohen si shkelje të rënda dhe shkeljet e rënda shkojnë nga marrja e licencës të një periudhe të përkohshme dhe të përhershme. Merren vetëm me ndalimin e profesionit. Por ja që deri më tani nuk kemi pasur raste për shkak se nuk kemi pasur një vendim të formës së prerë të dërguara nga gjykatat civile apo nga institucionet shëndetësore, sepse në këto raste kur dënohen me burg, ata do të duhej të largoheshin nga puna dhe në atë moment do të duhej institucionet punëdhënëse të lajmërojnë odën dhe të marrin masat tona”, tha Sejdiu.

KOHA ka tentuar të kontaktojë edhe me drejtorin e Klinikës së Ortopedisë lidhur me rastin, por nuk ka qenë i qasshëm.

Nën dyshimet për marrje të ryshfetit, në fillim të vitit janë arrestuar edhe tre kirurgë të spitalit të Vushtrrisë.