Arbëri

S’ka protestues e përgjysmë më pak policë te objektet komunale në veri

Qetësia është kthyer në veri. Protestues nuk shihen përreth objekteve komunale, e prezenca e pjesëtarëve të policisë është përgjysmuar tashmë në dhe përreth këtyre objekteve. Ushtarët e KFOR-it tani nuk kanë punë me turmat e dhunshme. Më pak punë kanë edhe kafenetë, në të cilat tani nuk dëgjohen më as këngët me tone nacionaliste serbe

Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan, 2 shtator – Muzika jazz e me zë të ulët që dëgjohet nga kafeneja përballë objektit të Komunës në Leposaviq, ka zëvendësuar të shtunën këngët nacionaliste e me tone kishtare që në kor i këndonin serbët gjatë protestave.

Kafeneja, që gjatë protestave ishte e stërmbushur, tani ka pak klientë. E protestues nuk ka përballë objektit. Aty ndodhet kryetari Lulzim Hetemi prej mëngjesit të hershëm të 29 majit, kur hyri për herë të parë, i ndihmuar nga Njësia speciale e Policisë së Kosovës. Prej atëherë më nuk doli nga ndërtesa, nga droja se pjesëtarët e KFOR-it nuk do ta lënë më të rihyjë.

Serbët ishin zotuar se do të protestonin për aq kohë sa kryetari nuk largohet, bashkë me policinë që ndodhet në dhe përreth objektit.

Edhe forca të sigurisë ka më pak. Numri i policëve është përgjysmuar. E ushtarët e KFOR-it tani nuk kanë punë me turmat e dhunshme. Ata bëjnë muhabet mes vete ose edhe me pjesëtarë të Policisë.

Incidentet janë reduktuar, në këtë pjesë ku komuniteti ndërkombëtar druante se situata mund të përshkallëzojë nga çasti në çast.

Situatë thuajse e njëjtë është edhe në komunat e tjera të veriut, në të cilat edhe me protesta të dhunshme janë kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, që morën pushtetin në zgjedhjet e prillit që serbët i bojkotuan.

Një numër i vogël i policëve të Kosovës vërehet në objektin e komunës. Pjesëtarë të KFOR-it nuk shihen askund. Më nuk duken as automjetet e shumta të policisë dhe të KFOR-it që gjatë protestave ishin stacionuar te parkingu e trotuari prapa selisë së komunës.

E, në Zveçan ka lëvizje të vogla të pjesëtarëve letonezë të KFOR-it. Ndryshe nga dy komunat e tjera, këtu Policia nuk është vërejtur në dhe përreth objektit të komunës, përveç lëvizjeve që i bën nëpër qytet.

Kafenetë në këtë zonë frekuentohen edhe tani, por nuk ka shenja të protestës.

Zveçani ka qenë epiqendër e dhunës së protestuesve serbë, të cilët përdorën edhe mjete të forta, armë zjarri e edhe mjete shpërthyese kundër trupave ndërkombëtare ushtarake. Në protestën e 29 majit, aty kanë pësuar lëndime 93 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve morën lëndime të rënda.

Flamujt e Kosovës të vendosur në maj, valojnë në objektet komunale të të tria komunave në veri, ku deri në fund të majit kishin selinë strukturat ilegale të Serbisë. Ato vazhdojnë ta luftojnë shtetin e Kosovës e edhe simbolet e tij.

Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin Potokut, aktivitetin e zhvillojnë në objekte alternative.

E vetëm në Mitrovicën Veriore nuk pati protesta, meqë kryetari u vendos në objektin e Komunës që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve ku shqiptarët janë shumicë. Në ditën e parë të këtij vikendi, aty qëndroi vetëm një punëtor i sigurimit fizik. Ndërkaq, policë të Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-i italian dhe gjerman patrullojnë kohë pas kohe afër objektit.

E në qendër ku shumicë janë serbët, sheshi është i frekuentuar. Ngjashëm si në Leposaviq, edhe këtu tensionet kanë rënë, e bashkë me to hitet ndërkombëtare kanë zëvendësuar këngët nacionaliste serbe.