Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se udhëzimi administrativ i Qeverisë për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore përmes peticionit është hartuar me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes.
Grupi punues në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal duhet ta finalizojë udhëzimin administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Megjithatë, KDI-ja ka theksuar se MAPL-ja “ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune”.
KDI-ja ka vlerësuar se drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.
“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi. Specifikisht, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar. Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”, ka thënë KDI-ja përmes një komunikate për media.
KDI-ja ka theksuar se udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Prandaj, ka shtuar se dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, janë zgjidhja më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.
“Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.