Arbëri

Daçiq: Po të ofrohej integrimi evropian si alternativë në vitet 90, ndoshta s’do të kishte luftë

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, është ankuar për mbajtjen e konferencave për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, pasi ka thënë se përgjatë shumë vitesh nuk është se po bëhet diçka në këtë drejtim.

Në Forumin e Bledit që po mbahet në Slloveni ai i ka bërë pyetje publike presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, nëse e mbështet deklaratën që vetë ai e dha një ditë më parë se synimi i BE-së është të pranojë shtete të reja deri në vitin 2030.

Daçiq ka shtuar se si në konferencat e tjera, edhe kësaj radhe mund të priten sulme verbale mes përfaqësuesve të shteteve ballkanike, e nga kjo BE-ja, sipas tij, do të thotë se Ballkani Perëndimor nuk është i gatshëm për integrim.

“Sa mendon z. Michel ende sot atë që e ka thënë dje apo e ka thënë këtë si ai si person apo në emër të BE-së. A qëndrojnë të gjitha shtetet anëtare prapa asaj deklarate? Unë do të gëzohesha shumë nëse do të ishte kështu, por duhet të them se më duket diku nja 10-15 vjet të gjithë marrim pjesë në secilën konferencë, ekziston ajo tema e famshme e që është integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor. Zakonisht jemi vetëm ne këtu të Ballkanit Perëndimor, dhe është paneli i fundit për sot. I sati mund të jetë në radhë i atyre që kemi marrë pjesë. E tash së shpejti do të ketë edhe sulme mes nesh, bilateralisht, brenda vetë Ballkanit Perëndimor dhe do të themi gjërat më të këqija për njëri-tjetrit, prandaj nga BE-ja do të nxjerrim përfundimin se këta as nuk e kanë vendin në BE”.

Daçiq ka thënë se nuk ka kuptim të mbahen konferenca të tilla pasi Brukseli e di se shtetet ballkanike dëshirojnë anëtarësimin në bllok. Ndërkohë, ka deklaruar se ideja e integrimit evropian mund të ofrohej si alternativë para luftërave ballkanike të viteve 90.

“Do të isha i gëzuar që kësaj t’i kushtonit kaq shumë vëmendje para viteve 90, para luftës, sepse ndoshta atëherë nuk do të kishte luftë. E që të ofronit si alternativë integrimin evropian. Pse nuk kemi organizuar konferenca të tillë që atëherë. Edhe sot flitet vetëm pas fillimit të luftës në Ukrainë. Nuk na duhet asgjë pas luftës, na duhet diçka para luftërave. Ideja evropiane ka mundur të jetë zëvendësim i asaj që është quajtur ide jugosllave. Me këtë nuk jemi marrë, nuk jemi marrë me integrimin evropian. Pse nuk jemi marrë, sepse kemi menduar që BE-ja nuk është serioze. Jo, BE-ja nuk e ka dhënë këtë ide në vitet 90. Sepse në vitet 90 i kemi pasur diskutimet se si secili do të pavarësohet dhe do të largohet nga njëri-tjetri. Unë e kujtoj që Jugosllavia në atë kohë ka qenë kandidate për një lloj hyrje apo bashkimi në BE”.

Daçiq është shprehur pesimist se do të arrihet integrimi evropian shpejt duke thënë se nuk ka vendim politik që kjo të ndodhë.

“Sepse ekzistojnë kushte të ndryshueshme, e rregullon një fushë pastaj të del një tjetër. Nuk respektohen marrëveshjet ndërkombëtare ato të nënshkruara. Para 10 vjetëve kam qenë këtu me Hashim Thaçin, kam nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe çfarë autoriteti ka tash BE-ja që ka qenë garantuese e kësaj marrëveshjeje. Kthehemi që në fillim që ajo që ju të gjithë e dini, e njohim njëri-tjetrin, nuk ka nevojë të njihemi me njëri-tjetrin”.