Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk e kupton "pafytyrësinë" e kryeministrit Albin Kurti dhe të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në çështjen e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.
Ai ka thënë të martën pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, se Kurti e Nagavci do të duhej t’i kërkonin falje Kosovës, duke shtuar se prindërit do ta kenë të vështirë furnizimin me tekste për fëmijët e tyre.
“Këto kam ardhur me dy qëllime: të mësoj edhe më afër se si është gjendja me këtë situatën me tekstet, për shkak se informatat që i kemi marrë janë mjaft shqetësuese. Për fat të keq, ajo që mësova edhe nga biseda, është se është një situatë jo e mirë. Pra, nga praktika që tekstet do t'i kenë në shkolla, për prindërit do të jetë një luftë e vërtetë për t'i siguruar këto tekste, e përfshihet edhe problemi i kostos. Shumë prindër janë në vështirësi ekonomike. Mund të mos i kenë në prioritet tekstet...Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit dhe të ministres, të paktën një kërkimfalje Kosovës. Kosova i paguan ata që në pranverë të kryhet çështja e teksteve për vjeshtë. Ata njerëz pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. Kjo situatë, në rrethana të njerëzve normalë, ndryshe duhet të ishte”, u shpreh Haradinaj.
Për situatën politike në Kosovë, Haradinaj është shprehur pro rrëzimit të Qeverisë Kurti nëpërmjet mocionit të votëbesimit.
“Shumë njerëz po i bëjnë thirrje qeverisë tonë të kthehet me aleatët, me Amerikën, me NATO-n me BE-në, por fatkeqësisht, Kurti dhe kjo qeveri ka zgjedhur një rrugë tjetër. Pasojat po i rriten Kosovës, do t'i rriten edhe parashikimet nuk janë të mira për asnjë temë. Mocioni është mënyra më e duhur edhe legjitime edhe demokraci. Opozita ka votën sa të iniciojë mocionin, pastaj do të duhej ndihma e deputetëve të tjerë. Shpresoj që në një rrethanë të caktuar do të arrijmë unitetin brenda opozitës. Por po, është opsion”, është shprehur Haradinaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.