Liderë institucionalë e politikë në Kosovë e kanë uruar popullin ukrainas në 32-vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik. Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, gjatë përballjes së saj me agresionin ushtarak rus. E, gazetarë që janë strehuar në Kosovë u shprehën mirënjohës për ndihmën dhe mikpritjen e ofruar
Kosova ka shënuar përvjetorin e 32-të të pavarësisë së Ukrainës, shtetit që prej një viti e gjysmë është duke i rezistuar agresionit ushtarak të Rusisë.
Krahas urimeve, përfaqësuesit më të lartë shtetërorë shprehën zotimin për të kontribuar për mbrojtjen e Ukrainës.
Në ambientet e ballkonit të hapur të Qeverisë së Kosovës kryeministri Albin Kurti bashkë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, mirëpritën qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarë ukrainas në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë.
“Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë. Këtë javë ne iu bashkuam Deklaratës së përbashkët të G7-tës për mbështetje të Ukrainës dhe me anë të kësaj ne duam të shprehim vullnetin tonë që të kontribuojmë me krejt çfarë mundemi, për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë që ajo ka nevojë”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Ukraina nuk ia ka njohur pavarësinë Kosovës, ndërkaq autoritetet ruse vazhdimisht kanë bërë paralele me Kosovën kur kanë arsyetuar aneksimin e territoreve ukrainase.
E, në Kiev ka filluar një nismë e politikanëve, përfshirë bashkëpartiakë të presidentit Volodymyr Zelensyy për ta formalizuar njohjen e Kosovës.
Në fillim të javës kryeministri Kurti ka shtrënguar duart me Zelenskyyn, gjatë samitit të Athinës, ku të dy morën pjesë.
“Ishte nder të takohem nga afër me presidentin Zelensky. Shpresoj që në takimet e ardhshme ne mund të diskutojmë se si Kosova e Ukraina mund të punojnë së bashku për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe interesin tonë të përbashkët”, ka thënë Kurti, gjatë shënimit të përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës.
E, presidentja Vjosa Osmani uroi Ukrainën nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Zemra e një kombi rrah përbrenda popullit të saj dhe në mes të hijes së një lufte gjenocidale, shpirti i ukrainasve mbetet i pamposhtur.
Nga një vend i fuqisë, demokracisë dhe shpresës, drejt një vendi tjetër, ne urojmë popullin trim të Ukrainës, Urime Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Osmani.
Në rrjete sociale mesazhe inkurajuese për ta përballuar agresionin rus ka dhënë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kosova u është bashkuar vendeve të Perëndimit në sanksionet ndaj Rusisë, prej kur ky shtet ndërmori aksionin ushtarak për ta pushtuar Ukrainën. Ka strehuar një numër ukrainasish që kanë ikur nga vatrat e luftës dhe u ka krijuar kushte pune dhjetëra gazetarëve
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se kurrkush si kosovarët nuk i kuptojnë vuajtjet e popullit ukrainas.
“Në Kosovë, ne jo vetëm që e dimë, por ne e ndiejmë se me çfarë po përballet Ukraina. Ne e kujtojmë, i kemi të gjitha imazhet, hijet e së djeshmes po na vijnë përsëri. Ne e dimë se çfarë do të thotë luftë totale dhe zhdukje. Por, mbi të gjitha, ne e dimë se çfarë do të thotë pavarësia. Sa e rëndësishme është për ekzistencë. Ekzistencë do të thotë që dinjiteti dhe historia jote janë tuat dhe të askujt tjetër. Nuk ka kompromis të lirisë, sovranitetit e pavarësisë”, ka thënë Gërvalla. “Rezistenca ju bën që të qëndroni në këmbë për vlera. Rezistenca është receta. Kosova dëshiron t’ju shohë duke festuar lirinë. E di se do të festoni lirinë. Dhe ne do të festojmë lirinë tuaj me ju. Jemi të lumtur që kemi gjetur miq të rinj”.
E, Lyndamila Mekh, gazetare nga Ukraina, u shpreh mirënjohëse për mbështetjen dhe mikpritjen në Kosovë.
“Ne gazetarët ukrainas jemi shumë mirënjohës ndaj jush, për mbështetjen tuaj të sinqertë, mirëkuptimin dhe ndihmën që na e jepni secilit prej nesh, pjesëmarrësve të programit ‘Gazetarët në rezidencë në Kosovë’”, është shprehur Mekh.
Pushtimi rus i Ukrainës nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar. E, Kosova iu bashkua masave që ndërmori bota demokratike kundër Rusisë.