Arbëri

Minatorët e “Trepçës” vazhdojnë protestën, ende s’i kanë marrë pagat e korrikut

Minatorët e Trepçës kanë vazhduar edhe të premten, bojkotin e punës që e kanë nisur të enjten, si pasojë e moseksekutimit të pagave për muajin korrik.

Këtë për Kohën e ka konfirmuar nënkryetari i Sindikatës së minatorëve Destan Kërleshi.

Ai ka thënë se të enjten nuk kanë punuar tri ndërrimet, ndërkohë që e njëjta është duke vazhduar edhe të premten.

“Kjo po bëhet në shenjë të pakënaqësie për mosrealizim të pagave të muajit të kaluar, korrikut, kanë bojkotuar punën, kanë punuar vetëm kujdestarët që duhet të jenë patjetër prezent”, ka thënë ai.

Kërleshi ka thënë se ende zyrtarë të menaxhmentit të ndërmarrjes nuk kanë gjetur kohë që t’i takojnë dhe të flasin për gjendjen në ndërmarrje.

Kjo nuk është hera e parë që minatorëve të Trepçës u vonohen pagat.