Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, deklaroi se 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës s’kanë shtruar asnjë pyetje parlamentare gjatë sesionit veror.
Thaçi është shprehur të mërkurën në Interaktiv të KTV-së se nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) qëndron më mirë me statistika për parashtrimin e pyetjeve parlamentare.
“82 deputetë s’kanë ngritur asnjë pyetje përgjatë sesionit veror. Te pyetjet parlamentare kanë mundësi të shprehin çështje për elektoratin. Mund të përfundojmë se ky mos lloj deklarimi mbi problemet e elektoratit përfaqëson një lloj mosluajtje të rolit të deputetit në formatin e kërkuar”, deklaroi Thaçi.
Hulumtuesi i IDK-së shtoi se PDK-ja i ka shtruar 46 pyetje për një sesion veror, që mund t’i bie 2 për deputetë, ndërsa LDK-ja tha se i ka parashtruar vetëm 10 pyetje për gjashtë muaj.
Ai shtoi se shumica e pyetjeve janë bërë në lidhje me dialogun me Serbinë, problemet në veri, dhe Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa shtoi se ka pasur edhe deputetë që kanë shtruar pyetje mbi problemet lokale.
“Deputeti Agon Batusha për shembull ka pasur të vazhdueshme, pos dëshirës për të marrë përgjigje, ka kontestuar edhe çështje. Mirlinda Tishuka ka pyetje që lidhen me projekte praktike për regjionin nga vjen”, tha hulumtuesi.
Thaçi shtoi se kryeministri Albin Kurti është përgjigjur në 17 pyetjet që i janë parashtruar nga deputetët.
“Nga 18 janari deri më 28 korrik janë zhvilluar 49 seanca. 48 kanë pasur kuorum për miratim, por shumë prej tyre kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit. Shumica janë shtyrë për votim në seancat tjera. Kërkesa jonë ka qenë të bëhen publikë emrat e deputetëve që nënshkruhen e nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Duhet t’u dimë emrat atyre që nënshkruhen e nuk marrin pjesë në seancë”, ka thënë ai.