Arbëri

Cakolli: Pa marrëveshje me serbët, asgjë s’garanton pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje

Institucionet e Kosovës synojnë që komunat në veri të shkojnë në zgjedhje të parakohshme nëpërmjet peticionit të serbëve si garanci për të mos e bojkotuar ata procesin, e jo me dorëheqjen e kryetarëve aktualë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se as mbajtja e zgjedhjeve përmes peticionit nuk është zgjidhje. Sipas tij, ai nuk është garanci se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje. Por, sipas tij, edhe dorëheqja e kryetarëve do të ishte precedent i dëmshëm.

“Nuk ka asnjë garancë që pjesëmarrja e serbëve në largimin e kryetarëve do të pasohet edhe me pjesëmarrjen në zgjedhje, Mund të arrijmë në situatën ku ky modalitet mund të keqpërdoret, kur serbët në komuna votojnë për largimin e kryetarëve, sërish bojkotojnë procesin zgjedhor, sërish zgjdhen kryetarë të rinj dhe vazhdimisht përsërisin procedurën e largimit të tyre”, ka thënë ai.

E, sipas Cakollit, për mbarëvajtje të procesit zgjedhor në komunat veriore, duhet të ketë marrëveshje me palën serbe e faktorin ndërkombëtar me zotimin se serbët nuk do t’i bojkotojnë zgjedhjet.

“Duhet të ketë një marrëveshje me palën serbe por edhe faktorin ndërkombëtar ku merren zotime të qarta që nuk do ketë bojkotim të procesit zgjedhor për kryetarët të rinj të komunave, jo vetëm këtij të largimit të kryetarëve aktualë. Sepse nuk e kemi luksin si shtet të futemi në cikle të tilla të zgjedhjeve të pafundme deri në përmbushjen e kërkesave nga pala serbe apo çfarëdo kërkesë tjetër që mund të vijë nga faktori ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Cakolli e vlerësoi si problematike organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri përmes peticionit pasi ka theksuar se ai proces do të zgjaste shumë, dhe siç ka thënë ai, do të ishte mesazh i keq që Kosova do ta përçonte në arenën ndërkombëtare.

“Sërish vijnë në pah aspektet procedurale, numërimi, verifikimi, certifikimi i rezultateve, që do të merr shumë kohë dhe si e tillë do të jetë një mesazh i keq i përçuar nga Kosova sepse nuk do tu dalim zot zotimeve të dhëna në takimin në Bratislavë mes Bislimit dhe Lajçakut. Besoj që do jemi tek nga fundi i vitit kur ne do të kemi kryetarë të rinj, por që mandati do të jetë rreth 1 vit e gjysmë. Pra, do të organizojmë katër procese zgjedhore në katër komunat veriore brenda 4 vjetëve të fundit që është non-sens”, ka deklaruar Cakolli.