Arbëri

Organizimi i zgjedhjeve në veri kërkon së paku katër muaj kohë

Institucionet e Kosovës insistojnë që rrethana për zgjedhje të parakohshme në veri të krijohet me peticion, si garanc që procesi nuk do të bojkotohet nga serbët. Njohësit e legjislacionit zgjedhor theksojnë kjo kërkon së paku katër muaj kohë, deri në organizimin e procesit të votimit. E opozitarët kritikuan qeverinë, pas kushtëzimit që i bëri shpalljes së zgjedhjeve me heqjen e masave që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës

Së paku katër muaj kohë duhet për të organizuar e mbajtur zgjedhjet e parakohshme në katër komunat të banuara kryesisht me serbë. Mbajtja e tyre pas verës është një nga zotimet që kanë dhënë autoritetet e Kosovës, si hap drejt shtensionimit të situatës në veri.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se pjesa më problematike e organizimit të tyre përmes peticionit, është kohëzgjatja e procesit.

“Nëse ndiqen afatet minimale për zhvillimin e një procesi të tillë duke nisur nga mbledhja e nënshkrimeve e deri të mbajtja e zgjedhjeve pas procesit të votimit për largimin e kryetarëve, besoj që do të merrte të paktën afërsisht 4 muaj kohë që të përmbyllet si procedurë në tërësi duke ditur edhe numrin e trajnimeve, informimin e votuesve dhe të gjitha aspektet procedurale”, thotë Cakolli.

Së bashku me zotimin për përkrahjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, institucionet e Kosovës, u patën pajtuar që të angazhohen drejt ofrimit të bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e tyre.

Një ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se ende nuk ka një dakordim të brendshëm nëse për mbajtjen e zgjedhjeve me peticion duhet udhëzim administrativ apo ligj.

Por, Cakolli thotë se rregullimi i këtij procesi nuk u takon institucioneve qendrore dhe se e gjitha është në përgjegjësi të KQZ-së.

“Meqenëse kemi të bëjmë më një proces të votimit që është në esencë proces zgjedhor, i vetmi institucion që ka përgjegjësi për të nxjerrë legjislacion sekondar është KQZ-ja duke përcaktuar hapat proceduralë dhe afatet kohore se si zhvillohen afatet e modaliteteve e votimit dhe të verifikimit të nënshkrimeve”, ka thënë ai.

Po ashtu, ka theksuar se në këtë rregullore që duhet të hartohet nga KQZ-ja duhet të përcaktohej edhe çështja e votimit me kusht, e votimit jashtë vendit, afati që do të vihej në dispozicion për gjithë procesin e të ngjashme.

Në Qeveri kanë theksuar se kanë përmbushur hapat fillestarë drejt shtensionimit të situatës në veri, konform marrëveshjes me BE-në. Së fundmi kanë kushtëzuar shpalljen e zgjedhjeve në veri, me heqjen e masave ndëshkuese të vëna nga BE-ja.

Një veprim i tillë i institucioneve është kritikuar nga opozitarët.

“Njerëzit që e kanë vendosur vendin nën sanksione, qofshin ato nga BE-ja, apo SHBA-ja, përfaqësuesit e koalicionit ‘Zdravo’ nuk munden me heqë vendin nga sanksionet”, ka deklaruar Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Ndërsa ai i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se komunikimi i tillë me ndërkombëtarët e kthen Kosovën prapa.

“Nuk komunikohet kështu me BE-në dhe aleatët tanë, pasi kjo vetëm e kthen Kosovën prapa”, ka thënë Tahiri

Kushtëzimin e Kosovës nuk e kanë komentuar në BE, dhe hollësi për këtë nuk kanë dhënë në Qeveri.

Por, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila përsëriti se masat janë të padrejta.

“Zgjedhjet e reja me legjitimet të lartë mund të mbahen kur të jenë kushtet normale në raport me rrethanat e sigurisë, por edhe formën se si vlerësohet Kosova nga BE-ja”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsiderojnë se deklarata si ajo e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për kushtëzimin e zgjedhjeve nuk janë të matura, derisa rendisin arsyet se pse një situatë e tillë nuk do të ndikojë në shtensionimin e situatës.

“Së pari, Kosova nuk është se pyetet a do të organizohet një proces i tillë. Po të ketë vullnet të qytetarëve serbë për ta ndërmarrë këtë iniciativë, institucionet e nivelit qendror nuk e kanë as më të voglin ndikim apo autoritet për ta penguar këtë modalitet. Procedura e mbledhjes së nënshkrimeve dhe dërgimit të tyre në KQZ nuk është aspak e varur prej nivelit qendror. Së dyti, kjo përçon mesazhin se Kosova nuk është e interesuar për të zbatuar zotimet e marra në kuadër të dakordimeve të arritura në Bratisllavë”, thotë Eugen Cakolli.

Institucionet e Kosovës synojnë që komunat në veri të shkojnë në zgjedhje të parakohshme nëpërmjet peticionit të serbëve si garancë për të mos e bojkotuar ata procesin, e jo me dorëheqjen e kryetarëve aktualë.

Sipas procedurave të përcaktuara me ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, 20 përqind e qytetarëve me të drejtë vote në komunat përkatëse mund të nisin procedurat për largimin e kryetarit. Nga kryetari i Kuvendit të komunës ku niset ky peticion ai përcillet tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për t’u shqyrtuar vlefshmëria e nënshkrimeve, proces ky që përmendet se duhet rregulluar. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja inicion një proces votimi ku duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote. Nëse më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote votojnë pro largimit të kryetarit, stafeta i kalon presidentes për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën përkatëse.