Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë për vendimin e caktimit të seancës plenare të 13 korrikut, në ditën kur ndodhi edhe rrahja mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.
Pas rrahjes në Kuvend, seanca qe pauzuar. Më pas, pavarësisht mospajtimeve dhe kërkesës së opozitës për mbyllje të seancës, pushteti mori vendim për t’i miratuar disa pika, ndër të cilat ishte edhe Ligji për pagën minimale.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë në Facebook, se PDK-ja ka kërkuar që seanca e 13 korrikut të anulohet në tërësi. Ai ka thënë se janë bërë dy shkelje kushtetuese me këtë seancë.
“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese. Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka njoftuar se është kërkuar edhe masa e përkohshme që deri në vendimin përfundimtar të Kushtetueses të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve nga seanca.
Në një reagim të menjëhershëm, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, e ka quajtur të paimagjuneshme kërkesën e PDK-së.
“PDK qartazi janë pozicionu kundër popullit të Kosovës. Këta po duan t'i hakmerren popullit për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. E paimagjinueshme të shohësh që kjo parti e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Kryetarit të Kuvendit për seancën e javës së kaluar ku janë votuar një mori vendimesh të rëndësishme”, ka shkruar ai.
Ndër vendimet më të rëndësishme ishte miratimi i Ligjit për pagën minimale, që më pas nxiti edhe protesta të veteranëve, pasi nuk u garantohet rritja e pensionit në lartësinë e pagës minimale, tash prej 264 eurosh. Ky ligj është në pritje të dekretit të presidentes Vjosa Osmani.
Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e 13 korrikut të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra u përfshinë në përleshje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Bislimi u përgjigj duke e gjuajtur me shishe. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun dhe ka nisur përleshja fizike ku u përfshinë edhe deputetë të tjerë.
VIDEO E RRAHJES: