Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur skandaloze deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se protesta e veteranëve e paralajmëruar për të shtunën është e nxitur nga lufta hibride e Serbisë.
Ajo ka thënë se Sveçla nuk është në krye të dikasterit për të cenuar fjalën e lirë.
“Skandaloze deklarata e Ministrit Xhelal Zvecla. Ministër, je aty me e mbrojtë rendin, ligjin, Kushtetutën. Jo me i sulmu mediat. Jo me e cënu fjalën e lirë. Po sillesh si Komisar. E për gjuhën kundër veteranëve, spo flas. Turp dhe mjerim”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kurse, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se deklarata e Sveçlës është provokim për eskalim në dhunë. Ajo u ka bërë thirrje protestuesve që të protestojnë paqësisht.
“Provokim për eskalim i Palaço Ministrit! Xhelali po thotë që protesta e veteranëve u organizu prej Vuçiqit. Pas sulmeve të vazhdueshme, mos-përfshirjes në pagën minimale, tani veteranët edhe bashkëpunëtorë të Serbisë, a? Keq jeni mashtru. Keq keni me u zhgënjy! Gjithsesi, më e pakëta, ky qëndrim është provokim i hapur që sot protesta e veteranëve të eskaloj në dhunë. E turpshme, Ministër!” ka shkruar ajo në Facebook.