Arbëri

Vitia: Nga tetori s’do të ketë mungesë të barnave esenciale

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se deri në tetor nuk do të ketë probleme me barna esenciale nëpër spitale. Ai ka thënë se lista e barnave esenciale është nënshkruar dhe janë hapur procedurat për qindra produkte.

Sipas tij, fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime nuk do të jetë me në fjalor e në terminologji.

“Furnizimi nuk është në nivelin e dëshiruar ashtu siç kam thënë edhe në fillim të këtij viti, listat e barnave esenciale është nënshkruar dhe ka kaluar. Janë hapur procedurat për qindra produkte të cilat janë në listën e barnave esenciale, ashtu siç i kam thënë edhe drejtorit edhe drejtorëve të tjerë deri në muajin shtator-tetor nuk do të ketë dhe do të punojmë që të mos ketë më fjalë për mungesë për barna nga lista e barnave esenciale dhe për materiale shpenzuese”, tha ai për EkonomiaOnline.

“Kjo është duke shkuar sipas planit dhe natyrisht me rritjen e buxhetit kjo do të jetë një standard i vendosur i cili nuk ka qenë kurrë më herët i cili do të jetë një standard i vendosur jo vetëm në shtator, tetor të këtij viti por do të vazhdoj edhe në vitet e tjera ku furnizimet do të jenë ashtu siç duhet me komplet listën e barnave esenciale e materialeve shpenzuese. Ashtu siç thash deri në shtator, tetor kur të mbarojnë të gjitha këto procedura do të vendoset një standard i ri ku fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime e kam fjalën, sepse në shëndetësi ka edhe urgjenca dhe emergjenca, por sa i përket furnizimeve do të punojmë që nuk do të jete me në fjalorin e në terminologjinë tonë”, tha ai.

E, sa i përket insulinave, Vitia ka thënë se pacientët të cilët janë insulinëvartës nuk duhet që të shqetësohen pasi në stoqe ka mjaftueshëm medikamente. Vitia ka sqaruar se i kanë marrë të gjitha masat që qytetarët të mos mbesin pa insulina, pasi Zyra e Prokurimit në MSh javë më parë kishte marr vendimin për anulim të tenderit për furnizim me insulina, shkaku i shkeljes së një dispozite të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Përkundër problemeve të cilat kanë qenë me kontratën të cilët i’u referoheni ne si Ministri e Shëndetësisë kemi marr të gjitha masat dhe deri tani nuk ka ndodhur as edhe një herë që qytetarët e Republikës të mbesin pa insulina, një produkt jetësor për pacientët insulinë varës në Kosovë. Kështu që pacientët nuk do të mbesin pa insulina natyrisht dhe ne i kemi marr të gjitha masat që kjo mos të ndodhë në as një moment”, tha ai./ EO