Arbëri

Edhe një tentim i pushtetit për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të re plenare. Në rend dite janë gjithsej 31 pika. Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës e pyetjeve parlamentare, deputetët në rend dite kanë edhe votimin e disa pikave që janë bartur nga seancat e kaluara e që nuk janë votuar si pasojë e mospjesëmarrjes në votim të partive të opozitës.

Pushteti pritet që edhe njëherë të tentojë t’i ratifikojë tri marrëveshje ndërkombëtare. Gjithashtu pritet të votohet në parim i Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, i cili ka dështuar të votohet disa herë, e të cilin e kanë kundërshtuar edhe disa deputetë të Vetëvendosjes.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Kuvendi në seancën që është paraparë të nisë në orën 10:00 pritet të bëjë edhe zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Rendi i ditës

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

Votimi në Parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-190 për zhvillim rajonal të balancuar,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-200 për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin sovran të Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandim për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-156 për kontrollin e duhanit dhe të Ligjit nr.08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-156 për kontrollin e duhanit,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,

Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

Emërimi i kryesuesit dhe i anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës,

Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i Propozim -Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.