Arbëri

Kurti: Brenda kësaj jave do të dihet për armët në kisha

Albin Kurti

Pas takimeve me institucionet e sigurisë, përfaqësues të NATO-s dhe KFOR-it, brenda kësaj jave do të dihet për pretendimet se a ka armë të kontrabanduara në kishat ortodokse serbe në Kosovës, ka thënë kryeministri Albin Kurti të mërkurën.

Në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është ngritur alarmi të martën se kishat serbe po shërbejnë si vende ku po ruhen armë të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë. Gjatë një debati për kujtimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, deputetja Alicia Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme, tha se Qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se këto armë mbërrijnë me ambulanca nga Serbia.

Për këtë çështje, Kurti ka konfirmuar se do të ketë takime me institucionet e sigurisë vendore dhe ato ndërkombëtare gjatë ditës së sotme.

“Ka informacion se Serbia po i përdor ambulancat për kontrabandim të armëve në veri. Do ta kem një takim me përfaqësues të NATO-s dhe KFOR-it dhe me organet e sigurisë për këtë çështje. Pas takimeve, do të mund të japim fjalën përfundimtare. Tash jemi duke grumbulluar informacion. Brenda kësaj jave do të dihet kjo çështje”, ka thënë Kurti.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk ka dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë dhe shfrytëzim të kishave ortodokse për t’i mbajtur ato. Ky mision ka thënë se për sundim të ligjit, përgjegjëse janë organizatat e sigurisë së Kosovës.