Arbëri

Berisha falënderon dy shtete “që bllokuan sanksionet vetëm ndaj Kosovës”

Sali Berisha

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka falënderuar Kroacinë dhe Slloveninë, që sipas tij, bllokuan sanksionet “vetëm ndaj Kosovës” gjatë mbledhjes së samitit të liderëve të premten në Bruksel.

Siç ka raportuar KOHA, kryeministri i Kroacisë dhe ai i Sllovenisë gjatë samitit të liderëve kanë theksuar se për situatën në veri s’mund të paralajmërohen apo të ndërmerren masa vetëm ndaj Kosovës, e jo edhe ndaj Serbisë.

Berisha në Facebook ka thënë se Kroacia e Sllovenia i dhanë një goditje fatale politike presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Mirënjohje ndaj kryeministrave të Kroacisë dhe Sllovenisë. Te dashur miq, dje në Bruksel kryeministrat e dy vendeve mike të rajonit Kroacisë dhe Sllovenisë, bllokuan propozimin e ndëshkimit të njëanshëm, vendosjen e sanksioneve vetëm ndaj Kosovës. Ata i dhanë një goditje fatale politike argatit të serbomadhit Vuçiç, i cili në shërbim të neveritshëm ndaj patronit te tij, kohë para se të diskutohej në Bruksel vendosi i pari sanksionet ndaj Kosovës”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Lideri opozitar në Shqipëri, megjithatë, nuk la pa sulmuar edhe kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës, Rama po mundohet ta lehtësojë pozicionin e tij të rëndë karshi ndërkombëtarëve për shkak të çështjes “McGonigal”, duke sulmuar Kosovën.

“Duke shprehur mirënjohjen time dhe të PD, kryeministrave të vendeve mike të rajonit tonë për qendrimin e tyre objektiv, shtoj këtu se nuk duhet harruar për asnjë çast se Edi Rama i cili është në hetim të hapur penal në Gjykatën e Washingtonit për korruptimin e shefit të kunderzbulimit të FBI për New York-un dhe përdorimin e tij gjatë kohës që ishte në detyrë për shkatërrimin e opozitës. I vetdijshëm se hetimi i hapur penal, domethenë dera e hapur e burgut për Ramen, ai kërkon gjithashtu që me sulmet e tij ndaj Kosovës të lehtësoj pozicionin e tij për krimin e rënde që ka kryer. Shtoj këtu se është kërkuar që dosja McGonigal-Edi Rama të bashkohet me Dosjen McGoniga-Deripaska të New York-ut, gjë që përbën një përkeqësim të tmerreshëm të gjendjes së Ramës dhe flet për rënien e tij në merimangën ruse”, ka shkruar Berisha.