Korrespodenti i KOHËS në Bruksel , Augustin Palokaj, ka thënë se masat që deri më tani janë ndërmarr dhe ato që po paralajmërohet të ndërmerren ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e Bashkimi Evropian (BE) janë serioze.
Ai të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së ka theksuar se masat janë serioze për shkak se nuk janë ndërmarr asnjëherë ndaj asnjë vendi.
“Është për t’u habitur dhe shumë njerëz edhe në Bruksel, përkundër zhgënjimit që kanë me autoritetet e Kosovës për verimet apo mosveprimet, mendojnë që nuk janë të balancuara, sepse një numër i madh i diplomatëve atje mendojnë që edhe nëse Kosova e ka përgjegjësinë kryesore, nuk mund të shfajësohet krejtësisht Serbia dhe nuk ka masa edhe ndaj Serbisë”, është shprehur Palokaj.
Ai ka deklaruar se masat që janë marr nga SHBA-të janë edhe më serioze. Ka përmendur në këtë rast pezullimin e pjesëmarrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në manovrat ushtarake.
“Për një shtet që ka ushtrinë falë bashkëpunimit bilateral me SHBA-në, Gjermaninë, Kroacinë, Shqipërinë, Turqinë e jo më NATO-n, vërtetë janë masa serioze e ato që mund të pasojnë në të ardhmen janë edhe më serioze”, ka thënë Palokaj.
“Nga ai takim doli porosia nga shtetet anëtare bëjnë ftesë për të dyja palët që të ulen tensionet, në terme të gjata praktike kërkojnë menjëherë që të shpallen zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e pakusht të serbëve në ato zgjedhje”, ka deklaruar Palokaj.
Sipas tije dhe pse ato nuk po quhen sanksione, ato janë masa ndëshkuese dhe se masa quhen edhe ato që janë ndërmarr ndaj Rusisë.
“Borrell tha se ka marr përkrahje edhe të shteteve anëtare edhe të masave që do të përgatiten të ndërmerren në rast se nuk do të ketë veprime të menjëhershme për uljen e tensioneve. Edhe pse ai u pyet disa herë se çfarë sanksionesh do të ketë, si zakonisht ai tha se nuk e përdor termin sanksion, por termi sanksion nuk përdoret as për Rusinë, thuhet masa, por në e dimë që masat janë ndëshkime, ne e dimë që tashmë janë pezulluar disa takime në mes të grupeve punuese të Kosovës dhe Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, është shprehur Palokaj.
Ai ka thënë se Borrrelli ka paralajmëruar edhe masa të tjera përfshirë masa politike dhe financiare.
“Borrell tha se masat janë të përkohshme dhe se janë edhe të kthyeshme, pra nëse zhvillohen zgjedhjet dhe serbët marrin pjesë në zgjedhje atëherë ndoshta masat nuk do të zbatohen, e nëse nuk do të ndërmerren hapat që priten atëherë do të ketë edhe masa të tjera”, ka deklaruar Palokaj.
Palokaj: Lirimi i policëve hap taktik i Serbisë
Ai ka folur edhe për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin kidnapuar nga forsat e Serbisë, brenda territorit të Kosovës.
Sipas tij lirimin e policëve në Bruksel duan ta shohin si hap për shtensionimin e situatës. Por ai ka thënë se lirimi i tyre ka qenë një taktikë nga Serbia dhe është bërë pikërisht pak kohë para takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.
“Në Bruksel duan ta shohin kështu, ata kanë falënderuar Serbinë që i ka liruar, e kanë mirëpritur këtë vendim, që dëshmon se Serbia ka një taktikë, është mirë që janë liruar por në anën tjetër njerëzit pyesin pse sot e jo para tri ditësh, pikërisht sot, ndoshta disa minuta para nisjes së debatit në Këshill, në vend që të qortohet Serbia, ajo tash falënderohet”, ka theksuar Palokaj.