Arbëri

Rashiq ua vë fajin “të gjithëve nga pak” për krizën në veri

Nenad Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se të gjithë janë nga pak fajtor për krizën në veri, duke shtuar se duhet bërë diçka më shumë që ajo pjesë e Kosovës të jetë më e qëndrueshme dhe të mos jetë burim krize.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës ka pasur protesta nga serbët lokalë që kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale. Ka pasur protesta të dhunshme e kanë pësuar ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës dhe gazetarët. Situata pas qetësimit disaditor, përshkallëzoi në mes të qershorit kur forcat serbe kidnapuan policë të Kosovës brenda territorit të vendit, sipas Qeverisë së Kosovës. Tensionet bënë që të enjten të ketë ftesë urgjente për takim në Bruksel. Megjithatë, nuk pati takim trepalësh në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësve evropianë, pas refuzimit të Serbisë. Pas disa takimeve bilaterale, nuk pati marrëveshje. Bashkimi Evropian bëri të ditur se vetëm ka “pajtim për nevojën për zgjedhje të reja”. Megjithatë, nuk u tha se ka zgjidhje për mënyrën që çon te zgjedhjet.

Rashiq ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të bëhen “të zotët e punës” dhe të propozojnë koncepte për zgjidhje në veri, kur është folur për çështjen e Asociacionit.

“Krejt jemi nga pak fajtor. Konsideroj së pari përgjegjësia duhet të jetë individuale. Disa sene kam mundur t’i bëj edhe unë më mirë. Procesin e pajtimit kemi mundur ta përfundojmë më herët. Kemi mundur që serbët e veriut t’i integrojmë më shpejt. Duhet të bëhet diçka më shumë efikase, më konkrete, më miqësore. Unë jam për një koncept që ne e propozojmë, duhet të jemi të zotët e punës. Kryeministri e ka propozuar një vizion, por duhet të thellohet”, ka thënë Rashiq në “60 Minuta” të KTV-së.

Rashiqi ka vlerësuar se po përdoret shumë pak fuqi nga institucionet e Kosovës për t’iu dhënë alternativa serbëve në veri.

Ministri për Komunitete dhe Kthim ka theksuar se i ka prezantuar edhe kryeministrit Kurti vizionin e tij për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ka paralajmëruar se një strategji për këtë çështje do të miratohet shumë shpejt në Qeveri.

Megjithatë, Rashiqi ka thënë se zhvillimet e fundit në veri po i largojnë edhe më shumë serbët e asaj pjese nga institucionet e Kosovës. Madje, siç ka thënë ai, janë shkëputur komunikimet me ta.

“Kam qenë shumë optimist pas takimit në Ohër, por kjo u zbeh pasi nuk pati vazhdim të zotimeve dhe kjo na sjell në një situatë si kjo. Pas veprimeve të fundit, mund të shohim se qytetarët në veri janë çdo ditë e më larg institucioneve të Kosovës. Shpreh keqardhje sepse kemi investuar shumë në besimin ndaj institucioneve. Edhe pse unë po përpiqem, por është gjendje faktike se nuk kemi komunikime të thella dhe të pjekura me qytetarët në veri dhe kjo rezulton me këto incidente që po na kthejnë mbrapa. Kjo nuk kontribuon për asnjë palë, në veçanti serbët e Kosovës janë viktimë permanente e zhvillimeve të tilla”, ka shtuar Rashiq.

Ministri nga radhët e komunitetit serb ka thënë se që nga momenti i tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, “edhe ata që kanë qenë neutralë kanë dalë në krahë të politikave të dirigjuara të Listës Serbe për shkak të presionit të madh”.

Sa i përket Vuçiqit, Rashiq ka thënë se e vetmja gjë që po e “shpëton” atë është “mbështetja, siç po duket, e BE-së dhe SHBA-së”. Ka shprehur besimin se presidenti serb do të jetë konstruktiv dhe do ta pranojë planin për shtensionimin e situatës në veri.