Lulzim Veliu, analist për çështje rajonale, ka thënë se ka ftohje të marrëdhënieve mes Kosovës e BE-së dhe SHBA-së, megjithatë ka theksuar se “nuk bëhet fjalë për tërheqje të investimeve”. Ai foli për investimet, pasi Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, të mërkurën ka mohuar raportimet se rreth 200 kompani gjermane po largohen nga Kosova.
Ai ka thënë se një ndër shtytësit më të mëdhenj të Kosovës në shumë fusha ka qenë dhe është Gjermania.
Veliu i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të reflektoj pa shkuar në sanksione të ndërkombëtarëve.
“Shpresoj që Qeveria të reflektoj dhe do koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe të filloj të zbatojë atë që kërkohet nga ata, që të mos kalojnë nga masat në sanksione. Nëse nuk reflektojmë me shumë gjasa ato masa do të rriten dhe do të shkojnë deri te largimi i të drejtës për lëvizje të lirë”, ka thënë ai.
Kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për shtensionim të situatës, zgjedhjet e reja në veri dhe që kryetarët të komunave veriore ta kryejnë punën nga objekte alternative, Veliu ka thënë se nuk janë të drejta.
“Qeveria e Kosovës ka të drejtë sepse bëhet fjalë për largimin e kryetarëve të zgjedhur me votën e lirë. Bashkësia ndërkombëtare duke mos dashur të krijojë precedentë të paparë më parë, i pranoi zgjedhjet, për të pasur kohë që t’i bindin serbët t’u kthehen institucioneve. Rruga më e drejtë është një koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, Veliu ka folur edhe për ligjin për migrantët në Gjermani i cili do të lehtësojë migrimin sidomos të punëtorëve profesionistë. Ka thënë se ligji do të miratohet këtë javë.