Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrasfrukturës, Liburn Aliu, është sulmuar të martën në Leposaviq, teksa ka vizituar kryetarin e zgjedhur të kësaj komune, Lulzim Hetemi, i cili po qëndron brenda hapësirave të objektit të komunës.
Derisa ka dalë nga ndërtesa e komunës, në drejtim të Aliut është hedhur vezë dhe ngjyrë.
Gent Zeqiri, këshilltar për media i Aliut, ka thënë për KOHËN se kanë qenë tre apo katër persona që kanë tentuar ta pengojnë ministrin.
Sipas tij, këta individë nuk kanë qenë protestues paqësorë, teksa kanë tentuar ta bllokojnë rrugën dhe ta ndalin veturën ku gjendej Aliu, por Policia ka arritur ta evitojë një situatë të tillë.
Zeqiri ka shtuar se Aliu do të takohet edhe me kryetarët e komunave të tjera veriore.
“Në bazë të agjendës do të vazhdojmë edhe me takimet me kryetarët e tjerë, me kryetarin e Mitrovicës së Veriut veçse është takuar”, ka thënë ai.
Pas takimit në Leposaviq, Aliu e ka falënderuar Hetemin për qëndresën e tij të treguar së fundmi.
“Nder dhe kënaqësi e veçantë që ta takoj Kryetarin e komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi. Me kryetarin bashkëbiseduam për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë, me ç’rast i ofruam mbështetje të parezervë. E falënderoj kryetarin Lulzim Hetemi nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës, si dhe Policinë e Kosovës për disiplinën dhe profesionalizmin e pashembullt që po e tregojnë për çdo ditë”, ka shkruar ai në Facebook.
Aliu ka provuar edhe gjatë javës së kaluar ta zhvillonte një vizitë në Leposaviq, por më vonë ka njoftuar se nuk ishte i mundur realizimi i saj pasi Policia e Kosovës e ka udhëzuar që të kthehej pas.