Arbëri

Dalin rezultatet e para të zgjedhjeve në Mal të Zi

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Mal të Zi, ka publikuar të hënën mbrëma rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që janë mbajtur të dielën në këtë vend.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, Lëvizja Evropa Tani ka fituar 77.206 vota, apo 25,55 për qind dhe 24 mandate, raportoi “Dvevni avaz”.

Koalicioni “Së bashku” në të cilin bën pjesë Partia Demokratike e Socialistëve, është renditur i dyti me 70.292 vota apo 23.26 për qind dhe 21 mandate.

Ndërsa Aleanca Konservatore për të ardhmen e Malit të Zi ka fituar 44,603 vota apo 14.76 për qind dhe 13 mandate.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Ura kanë fituar nga 11 ulëse, Partia Boshnjake gjithsej gjashtë mandate, Partia Socialiste Popullore dhe Demos – dy mandate. Dy ulëse ka fituar edhe Forumi Shqiptar me 1.88 për qind të votave të fituara.

Ulëse në Parlament kanë arritur të zënë edhe Aleanca Shqiptare me 1.5 për qind të votave dhe Iniciativa Qytetare Kroate me 0.74 për qind, që të dyja me nga një mandat.