Krerët shtetërorë kanë organizuar një pritje me rastin e Ditës së Çlirimit, ku kanë falënderuar aleatët ndërkombëtarë për intervenimin në vitin 1999.
Kryeministri Albin Kurti, duke falënderuar NATO-n për ndalimin e gjenocidit dhe masakrave të forcave serbe në Kosovë, ka thënë se historia po tenton të përsëritet çdo pesë dekada.
“Çlirimi erdhi pas shumë dhimbjeve, e humbjeve e vuajtjeve të popullit të Kosovës, pas sakrificës së Jasharajve e luftës së UÇK-së, pas shumë masakrave dhe një gjenocidi që u ndalua nga Aleanca më e madhe ushtarake e botës demokratike dhe historisë së njerëzimit, NATO-ja. Jemi popull ilir për nga rrënjët, e të lirë për nga qenia. E duam fort lirinë, e duam edhe për të tjerët, jo vetëm për vete sepse siç na e thotë presidenti amerikan Abraham Lincoln, ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë për vete. Përpiqemi ta mësojmë historinë edhe me qëllimin që mos të na përsëritet më. Por me sa duket historia na merr ne në provim çdo 3-4 apo 5 dekada për ta testuar edhe ajo veten nëse mund të përsëritet”, ka thënë ai.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Dita e Çlirimit është një datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.
Osmani në pritjen shtetërore të organizuar me rastin e Ditës së Çlirimit nga ajo, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se më 12 qershor të vitit 1999 Kosova ka fituar një të drejtë që qëndron në thelbin e ekzistencës së saj dhe që përmbushi aspiratën e saj shekullore.
“Kjo ditë përmbyll një kapitull të errët të së kaluarës tonë dhe është dëshmi e vullnetit të paepur të atyre që luftuan për çlirim dhe të qëndrueshmërisë së atyre që duruan tmerret e robërisë”, është shprehur Osmani.
Ajo ka thënë se 12 qershor dëshmon se liria arrihet nga uniteti, gëzimi dhe përkushtimi i palëkundur.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se projekti i Serbisë për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës, nuk do të mund të ndalej pa ndihmën e miqve dhe aleatëve.
“Populli ynë e ka paguar shumë shtrenjtë çmimin e lirisë dhe të pavarësisë. Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ne përherë e kemi për obligim t’i falënderojmë miqtë tanë për kontributin dhe ndihmën e tyre për çlirim të Kosovës. Projekti i Serbisë për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës nuk do të mund të ndalej pa ndihmën vendimtare të miqve dhe të aleatëve tanë, SHBA-së, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Kosova përherë do t’u jetë mirënjohëse këtyre shteteve, të cilat nga marsi i vitit 1999 ushtritë e tyre kombëtare i kthyen në ushtri për lirinë e popullit të Kosovës”, ka thënë ai.