Arbëri

Bislimi: Kosova shtet sovran dhe në të drejtën e saj legjitime për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka pritur në takim një delegacion nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë.

Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Kryeministrit në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet në veri.

“Në takim u bisedua dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është shtet sovran, demokratik dhe në të drejtën e saj legjitime, për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim”, thuhet në njoftim.

Delegacioni slloven thuhet se kryesohej nga Sekretari i Shtetit Marko Stucin, i cili është shoqëruar edhe nga Ambasadorja e Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejcic.

“Palët diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit mes shteteve tona. Kosova ndan marrëdhënie të shkëlqyera të bashkëpunimit me Slloveninë, i cili është shtet mik e aleat i yni. Sllovenia përkrah Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, ku dhe u theksua gatishmëria për ndarjen e përvojës dhe eksperiencës së saj në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.