Phillips: Shkopi po përdoret vetëm ndaj Kosovës, presioni ndaj Kurtit i padrejtë

Drejtori i programit për paqe dhe të drejta të njeriut në Universitetin e Kolumbias, David Phillips, thotë se me veprimet në veri, Qeveria e Kosovës përmbushi vetëm një detyrim ligjor, teksa presionin mbi kryeministrin Kurti e cilëson jo të drejtë.
“Është e saktë që shkopi po përdoret kundër Kosovës. Kosovës duhet t'i jepen stimuj për ta përshtatur kursin e saj me shpërblime të përshtatshme për qeverinë e Prishtinës për bashkëpunimin me SHBA-në. Kryetarët e komunave u zgjodhën siç duhet dhe duhet të ulen në zyrat e tyre të ligjshme. Çdo gjë më pak minon sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Strukturat paralele duhet të shpërbëhen në mënyrë që Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë efektive. Në vend që të ushtrojë presion vetëm ndaj Kurtit, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj Beogradit që të luajë sipas rregullave”, ka thënë ai.
