Arbëri

Përjashtimi i Prenkajt nga MPJD-ja për “takimet e paautorizuara” me amerikanë

MPJDhttps://www.koha.net/arberi/426579/serbia-insiston-se-vrasja-e-policit-ishte-e-planifikuar-kosova-e-quan-propagande

Refuzimi për t’iu bindur autoritetit të zëvendëssekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, takimet e zhvilluara me zyrtarë të Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe deklaratat publike kundër MPJD-së, janë disa nga arsyet e përjashtimit të ish-drejtorit Albert Prenkaj nga Shërbimi i Jashtëm. E Prenkaj i ka mohuar të gjitha, duke e cilësuar fushatë hakmarrëse ndaj tij

Takimet e “paautorizuara” me amerikanët e mosbindja ndaj urdhrave të zëvendëssekretarit - janë ndër arsyet për të cilat Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mori vendim për përjashtimin e ish-drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj.

Me gjithë vendimin e Gjykatës Themelore, që e cilësoi të jashtëligjshme shuarjen e pozitës së Prenkajt, një komision i MPJD-së e përjashtoi atë nga Shërbimi Civil.

Ndër arsyet e listuara është se Prenkaj ka caktuar dhe mbajtur takim jashtë institucionit dhe nivelit të pozitës.

Në shkresën që Prenkaj e ka deponuar pranë Komisionit, i cili e përjashtoi, përmenden takimet me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, më 7 mars dhe ai në shtator 2022 me Ralan Hill, këshilltar për Politikat Ekonomike.

“Nëse aludohet në takimet me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, më 7 mars 2023, ai i është raportuar zv.ministres Gashi, përgjegjëse për Departamentin për Amerika, në cc Zyra e sekretarit të përgjithshëm, këshilltarit të lartë të kabinetit të ministres, z. Rexhep Gjergji, zyrtarët e lartë të Departamentit për Amerika, ministre këshilltare znj. Arrita Gjakova dhe ministër këshilltar, z. Valon Krasniqi”, ka shkruar Prenkaj në letrën që i ka dërguar Komisionit.

“Procesverbali është përcjellë më 10.3.2023 tek adresat e lartpërmendura. Një takim i ngjashëm është zhvilluar me z. Ralan L Hill, këshilltar për Politikat Ekonomike dhe znj. Marissa J Polnerow, Political Military Officer në shtator të vitit 2022, për të cilin takim po ashtu i është raportuar kabinetit të ministres, Zyrës së Sekretarit dhe kolegëve të departamentit. Për të njëjtin aktivitet i është dërguar informacion Ambasadës së Kosovës në SHBA”, thuhet në letër.

Por në MPJD kanë refuzuar të japin sqarime se për cilat takime bëhet fjalë, me arsyen se janë në pritje të afatit të ankesës. E Prenkaj e ka deponuar ankesën në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.

në përgjithësi mund të konstatojmë se çdo takim/aktivitet që zhvillohet nga zyrtarët e MPJD-së, jashtë MPJD-së, dhe me institucione të tjera vendore e ndërkombëtare, duhet ta ketë paraprakisht aprovimin e udhëheqësit të drejtpërdrejtë ose të sekretari të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Ky dikaster ka përmendur shkeljet e vazhdueshme të Prenkajt, si arsye për shkarkim.

“Ndaj z. Albert Prenkajt është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rënda të detyrave të punës, si dhe legjislacionit dhe akteve të tjera nënligjore me të cilat funksionojnë Shërbimi Civil dhe Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Kosovës. Procedura është iniciuar nga udhëheqësi i drejtpërdrejtë i z. Prenkajt, zv.sekretari i përgjithshëm z. Behar Isma, më datën 28.3.2023”, kanë thënë nga MPJD-ja.

Në përgjigjen e MPJD-së sqarohet edhe vendimi për largimin nga Shërbimi Civil.

“Komisioni disiplinor, pas analizimit, trajtimit dhe zhvillimit të procedurave konform zbatimit të legjislacionit përkatës për Zyrtarët Publikë dhe Rregullores (QRK) nr. 11.2020 për Disiplinën dhe Ankesat e Zyrtarëve Publikë, me datë 26.4.2023, ka nxjerrë vendim me masën disiplinore ‘largim nga Shërbimi Civil’. Për detaje më të hollësishme sa u përket inicimit dhe provave të procedurës disiplinore, nuk mund të përgjigjemi, sepse jemi akoma në pritje të ankesave sipas afateve ligjore”, kanë thënë nga MPJD-ja.

Prenkaj-MPJD, një historik përplasjesh

Prenkaj, ambasadori i karrierës, i cili ishte pjesë e Ministrisë prej themelimit të saj në vitin 2008, ka një historik të gjatë përplasjesh me menaxhmentin e ri, të cilin thotë se nuk e njeh për shkak të paligjshmërive me rastin e emërimeve. Me këtë, i është referuar zëvendëssekretarit Behar Isma, i cili siç konfirmojnë shkresat, Prenkaj e ka injoruar në komunikimet zyrtare.

Në njërën prej vërejtjeve, të cilën e ka konfirmuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, thuhet se “ankuesi në mënyrë të vazhdueshme refuzon të njohë autoritetin e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm të MPJD-së, në atë mënyrë që i njëjti në komunikimet e tij zyrtare me sekretarin e përgjithshëm aplikon shënimin ‘N/A (nuk është e aplikueshme)’, siç është rasti me përgatitjen e Planit Individual të Punës për Departamentin Amerika, ku ankuesi te rubrika mbikëqyrësit nuk kishte vendosur emrin dhe mbiemrin e sekretarit të përgjithshëm, por i njëjti vendos shkrimin ‘N/A (nuk është e aplikueshme)’”.

“Po ashtu bazuar në provat materiale të kësaj çështjeje, Kolegji ka konstatuar se ankuesi në mënyrë të vazhdueshme refuzon pjesëmarrjen në takimet zyrtare të thirrura nga sekretari i përgjithshëm, ku si pasojë e këtyre veprimeve ankuesit i janë shqiptuar edhe masa të tjera disiplinore paraprake”, shkruan në vendimin e Këshillit.

Mbështetur në vendim, gjithsej kanë qenë tri masa disiplinore, pas të cilave MPJD-ja mori vendim për përjashtimin e Prenkajt nga Ministria. Me këtë rast është konstatuar shkelja e nenit 26 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili përcakton se “Zyrtari publik ka detyrimin të veprojë në përputhje me urdhrat e marrë nga mbikëqyrësit e tij, sipas ligjit dhe rregullave të brendshme të institucionit”.

Ish-drejtori i Akademisë Diplomatike, Prenkaj, thotë se nuk ia njohu autoritetin zëvendëssekretarit Isma, për shkak të paligjshmërive në gradimin dhe emërimin e tij. Ndërkaq përjashtimin e quan të jashtëligjshëm, i cili është nxjerrë pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, sipas të cilit shuarja e pozitës që mbante Prenkaj nuk ka bazë ligjore.

“Siç e dini jam larguar nga shërbimi civil në mënyrë të padrejtë, menjëherë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka nxjerrë aktgjykimin në favor të ligjshmërisë. Pra ka hedhur poshtë vendimin e KPMSHCK-së. Pra ky verdikt gjyqësor gjykon që shuarja e pozitës së drejtorit të përgjithshëm me Rregullore për Sistematizim të MPJD-së është e jashtëligjshme, tejkalon kompetencën legjislative. Pra verdikti i Gjykatës Themelore kërkon që KPMSHCK të nxjerrë vendim meritor në bazë të ligjit, i cili e parasheh pozitën e drejtorit të përgjithshëm. Kjo e fundit nuk e ka zbatuar aktgjykimin, por e ka dërguar lëndën në Gjykatën e Apelit”, ka thënë Prenkaj.

Ka folur edhe për vendimin për largimin e tij.

“Pas nxjerrjes së aktgjykimit, znj. Gërvalla Schwarz ka urdhëruar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të jashtëligjshëm (i cili ushtron detyrën jashtë kornizës kohore të paraparë me ligj) që të formojë një komision nga zyrtarët inkompetentë, me koeficient të ulët dhe me grada të dyshimta diplomatike (e kanë graduar njëri-tjetrin në mënyrë të jashtëligjshme dhe jotransparente). Ky komision një herë më ka pezulluar dhe në fund ka marrë vendim për largim nga shërbimi civil”, ka thënë ai.

Ai, anëtarët e këtij komisioni i ka quajtur klikë e instaluar që po vazhdon të shantazhojë e të frikësojë stafin e Ministrisë.

“Z. Isma me koeficientin 8, pa asnjë gradë diplomatike, i posaardhur nga një ministri tjetër, vazhdon jashtëligjshëm të ushtrojë detyrën e zëvendëssekretarit të përgjithshëm”, u shpreh ai.

Përkundër refuzimit të autoritetit të zëvendëssekretarit, Prenkaj ka shtuar se i ka përmbushur detyrat e përcaktuara. Ato thotë se u janë raportuar institucionit të Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, kabinetit të ministres dhe zëvendësministres, Liza Gashi.

“Ajo (Liza Gashi) mbulon politikat ndaj Amerikave, departament të cilin e kam udhëhequr deri në largim për shkak të politikës së instaluar ‘papërshtatshmëri politike’ e tipit të regjimit të Serbisë të viteve ‘90”, ka shtuar ai.

Deputetët kritikojnë veprimet e ministres

Ligjshmëria e vendimeve të ministres është ngritur disa herë edhe në mbledhjet e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme. Anëtarja e këtij komisioni, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se në rastin e Prenkajt është shkelur ligji, duke i dhënë përparësi rregullores për sistematizimin e vendeve të punës.

“Është shkelje, pasi neni 5 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm thotë se ekziston pozita e drejtorit të përgjithshëm. Nëse e shikon rregulloren që e kanë miratuar si akt nënligjor, ajo është në kundërshtim me ligjin në fuqi. Ajo (ministrja Gërvalla) ka menduar se e bën rregulloren, pastaj e ndryshon ligjin për shërbim të jashtëm dhe e akomodon rregulloren. Pra ajo e ka miratuar rregulloren e re me ligjin e vjetër. Nëse e shikon ligjin e vjetër, atëherë del se ka shkelje ligjore. Këto i kam ngritur disa herë në Kuvend dhe Kryesi, por nuk po merren parasysh”, ka thënë Musliu.

Sipas saj, shumë vendime të ministres janë duke u rrëzuar nga instancat e tjera.

“Fatmirësisht kemi organe të tjera të drejtësisë, të cilat vendosin se kush ka të drejtë. Deri tash të gjitha vendimet që i ka marrë kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Rrjedhimisht Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ketë buxhet, sepse të gjithë personat që i ka larguar nga puna e i kthen gjykata, do të detyrohet t’i paguajë prej ditës që i ka larguar nga puna. Në vend se ato para të shkojnë për shpenzime të tjera, siç është për blerje të ambasadave ose për lobim, ministrja do të merret me pagesat mujore për stafin diplomatik, të cilët i ka shkarkuar jashtëligjshëm”.

Në MPJD kanë deklaruar se do të zbatojnë çdo vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe çdo vendim tjetër të formës së prerë të gjykatave të Kosovës.