Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur naivitet dhe të padobishme reagimin e sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken, për situatën në veri.
Të premten, sekretari amerikan i Shtetit lëshoi qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe “tensionet u përshkallëzuan në mënyrë të panevojshme”.
Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë “zbutje” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, ka thënë Kurti për The Guardian të martën.
Kurti ka thënë se kishte folur me Gabriel Escobarin më vonë, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin. Kreu i ekzekutivit ka thënë se Escobari kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose të punonin nga shtëpia, një kërkesë që Kurti e kishte refuzuar.
“Nuk mund të kemi kryetar komunash virtual, ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike nuk mund t'i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.
Kurti tutje është shprehur se ka qenë fat që dje nuk ka humbur jetën asnjë pjesëtar i KFOR-it.
Më shumë se 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet e së hënës, duke bërë që aleanca ushtarake të njoftojë se do të dërgojë 700 trupa të tjera në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e vendosi ushtrinë e vendit të tij në gatishmëri të lartë luftarake.
Dhuna në veri ka nisur që nga e premta, kur kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe ia mësyen objekteve komunale.