Profesori në Universitetin e Prishtinës, Besfort Rrecaj, ka thënë se Kosova është në situatë jo të mirë si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në raport me aleatët, pas zhvillimeve të fundit në veri.
Rrecaj ka konsideruar se Kosova do duhej t’i koordinonte veprimet me aleatët ndërkombëtarë, sepse siç thotë ai, pa ta nuk mund të ruhet as sovraniteti i shtetit.
“Kemi një situatë jo të mirë, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në raportet me aleatët. Kjo, përveç se do të ketë pasoja tash, do të ketë edhe në të ardhmen. Ish-kryeministrin britanik Winston Churchill ka thënë se ‘e vetmja gjë më e keqe sesa të kesh aleatë, është të luftosh pa ta’. Kjo vë në pah rëndësinë e koordinimit të veprimeve tua me aleatët, që e mbrojnë sovranitetin e një shteti. Nuk ka asnjë shtet që mund ta mbrojë sovranitetin pa aleatë, sidomos shtetet e vogla si Kosova”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Rrecaj ka thënë se mirëmbajtja e marrëdhënieve me ndërkombëtarë është më e lehtë sesa shërimi i tyre.
“Çështja e besimit është shumë e rëndësishme ndërmjet shteteve. Parandalimi dhe mirëmbajtja e raporteve është më e lehtë sesa shërimi i tyre në të ardhmen. Është jashtëzakonisht shqetësuese ku Kosova ndodhet në një situatë të vështirë ndërkombëtare. Veprimet e fundit janë lajme të këqija. Jemi në disa procese, siç është Këshilli i Evropës, marrja e statusit kandidat në BE, të hyjmë në Partneritetin për Paqe me NATO-n. Një prej aktiviteteve më të rëndësishme të FSK-së ka qenë në Kuvajt, dhe kjo është mundësuar falë gatishmërisë së SHBA-së”, ka shtuar ai.