Arbëri

Sulmohet ekipi i KOHËS në veri

Është sulmuar me gurë ekipi i KOHËS i cili është duke i përcjellë zhvillimet në Zveçan.

Nga turma prej 30-40 protestuesish, disa prej të cilëve më maska në fytyrë, e kanë sulmuar veturën në lëvizje të KOHËS duke hedhur gurë dhe duke ia thyer xhamat, me ç ‘rast shoferi ia ka dalë të mbrohet e ta kalojë këtë situatë pa lëndime.

Gazetarja dhe kameramani gjatë asaj kohe kanë qenë disa metra më larg duke përcjellë zhvillimet, e siç ka treguar shoferi i KOHËS, ngjarja ka ndodhur derisa aty kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Shoferi ka vazhduar tutje dhe kur ka hasur në patrullën e Policisë së Kosovës, ku edhe ka pasur prani të mediave të tjera që janë interesuar për rastin, policët i kanë kërkuar që të largohet nga aty, duke mos u interesuar për gjendjen e tij dhe për atë që ka ndodhur.

Pas sulmit ndaj ekipit të KOHËS, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se po i përcjell me shqetësim situatën e rënduar të sigurisë në veri. AGK-ja u ka bërë thirrje organeve të sigurisë që të mundësojnë raportim të sigurt.

“AGK-ja, u bën thirrje organeve të rendit, Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale. Në këtë mes, portali Koha raporton se një veturë e ekipit është sulmuar me gurë nga persona të maskuar, por që fatmirësisht askush nuk është i lënduar. AGK-ja, gjithashtu i fton gazetarët dhe redaksitë për kujdes të shtuar në këtë situatë të vështirë”, ka shkruar AGK-ja në reagim.

Image
Image