Mbrojtja e ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra, ka filluar marrjen në pyetje të dëshmitarit të pestë me kodin 3165, i cili po vazhdon të dëshmojë për vrasjen e personit 1.
Pyetjet e saj kryesisht janë zhvilluar lidhur me një dokument (jo publik), të cilin dëshmitari e pohoi se është ankesë e bërë nga ai por që nuk e di datën e saktë të saj, raportoi ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
I pyetur se a është e saktë ajo që ka thënë në këtë ankesë se numri 1 është marrë nga UÇK-ja nga shtëpia e tij, ai tha se ‘‘jo nuk është e vërtetë se në shtëpi, ndoshta një gabim te përkthimi’’.
Tutje ai tha se ai i ka parë personat me maska por jo të gjithë, ndoshta sipas tij dy apo tre, duke mos qenë i sigurt për numrin e saktë.
Ai tha se nuk kishte thënë se të maskuarit i ka parë pa maska kurse personat 14 dhe 15 tha se i ka parë pas vrasjes por që tha se ata nuk kanë qenë të dyshuarit por kanë dëgjuar krismat dhe kanë dal.
I pyetur se në këtë dokument kishte thënë se ‘‘pas incidentit kam parë dy të dyshuar pa maska’’, ai tha se ‘‘përkthimi nuk është i saktë’’.
Kurse lidhur me një dokument tjetër të 23 janarit 2003, avokatja Alagendra tha se janë përmendur disa persona të dyshuar, dëshmitari tha ‘‘i kam parë 12-shin dhe 13-shin’’.
Kur u pyet se a i keni parë pa maska, përmbajtja ka qenë e redaktuar.
Po ashtu kur iu tha se ‘‘dy personat qe dyshoje se ishin të përfshirë në vrasjen e numrit 1 ishin numri 12 dhe 13 dhe dyshimin e kishe sepse nuk kishin uniforma atë ditë kështu’’, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) vendosi që të ketë përmbajtje të redaktuar përgjigja e tij.
Lidhur me personin 14, ai tha se "ai i ka dëgjuar krismat dhe ai ka dal në rrugë prej malit kur i ka dëgju, dhe i ka pa të vrarë’’, por nuk e kishte ditur se kush.
Në vazhdim, dëshmitari lexoi një paragraf në atë dokument për të cilin tha se ‘‘nuk e kam thanë unë këtë’’.
Gjatë dëshmisë ka pasur edhe pjesë të tjera me përmbajtje të redaktuara.