Arbëri

Nait Hasani rrëfen masakrën në Burgun e Dubravës

I mbijetuari i masakrës në Burgun e Dubravës, Nait Hasani, ka rrëfyer pesë ditët e tmerrit që ka përjetuar nga 19 maji deri më 24 maj të vitit 1999.

Hasani ka nisur tregimin duke thënë se fillimisht ishte në burgun e Mitrovicës. Edhe aty, sipas tij, kanë përjetuar tortura dhe rrahje nga gardianët dhe policët serbë.

Më 30 prill të ’99-s, Hasani ka thënë se i kanë transferuar 43 të burgosurit që ishin në Mitrovicën për në Burgun e Dubravës. Në Burgun e Dubravës, Hasani ka thënë se ishin 1 mijë të burgosur. Ai ka përshkruar datën 19 majin e vitit 1999, kur nisën granatimet e NATO-s në Burgun e Dubravës.

“Ka pasur grupe nga qytete të ndryshme në burg. Në Dubravë, për 19 ditë, kanë vazhduar presionet dhe torturat. Më 19 maj, nga mesdita, është granatuar nga avionët e NATO-s pavijoni C. Aty janë vrarë tre persona dhe janë plagosur pesë. Për momentin, nuk e dinim çfarë po ndodhte. Kur është bombarduar, gardianët e burgut kanë ikur. Ne kemi thyer dyert, kemi dalë në oborr. Nuk kishim gardianë, kemi qëndruar nëpër oborr, deri kur ka hy një veturë me njerëz me armë që kanë shkuar me këqyr çfarë ka ndodhur në pavijonin C. Jemi kthyer brenda, kanë ardhur gardianët. Na kanë thënë që duhet të vetëorganizohemi. Ne filluam me këndu këngë motivuese. Ne aty e morëm vesh që kanë filluar bombardimet”, ka thënë Hasani në “Interaktiv” të KTV-së.

I mbijetuari tutje tregon se 20 maji i 24 vjetëve më parë ka qenë më i qetë. Por jo edhe 21 maji, kur NATO-ja bombardoi drejtorinë e burgut.

“Më 21 maj, kanë filluar prapë bombardimet e drejtorisë së burgut dhe kemi dalë në oborr. Dhe ka filluar edhe granatimi brenda burgut. Janë vrarë njerëz, unë jam plagos e disa të tjerë. Ka qenë tmerr. Kur e mora plagën, isha duke i dhënë ndihmë disa të plagosurve. Pasi u plagosa, e pashë që mund ta lëvizë krahun, dhe shkova prapë t’i jap ndihmë pasi plaga ishte e nxehtë. Kishte solidaritet mes të gjithëve me mjetet që kishim”, ka rrëfyer Hasani.

Me shumë emocion, Hasani ka rrëfyer edhe për 22 majin, ditën më kritike të masakrës në Burgun e Dubravës.

“Mëngjesin e 22-tit, gardianët na kanë thirr se tani nuk ka kushte për të qëndruar këtu. Na kanë thënë të mblidhemi sepse duhet të na numërojnë në fushën e sportit. Ne kemi shkuar aty, jemi mbledhur mbi 600-700 vetë dhe si kemi dalë menjëherë prej Karakollit të veriut kanë gjuajtur me mitraloz, me snajper, me granata dhe minahedhës. Nuk besoj që ka shkuar ndonjë plumb kot. Rendi i parë menjëherë janë goditur. Ne të tjerë jemi shtrirë menjëherë. Fati që ka qenë një breg e cila ndan fushën e sportit në dy nivele. Ai breg ka shpëtuar shumë njerëz. Sa ka zgjat ajo masakër, nuk ka kush që mund ta përshkruajë. Për ne ka qenë ndjenja më e rëndë që ke mundur me përjetu. Veç është dëgjuar zhurmë, krisma e shpërthime. Ka qenë tym gjithandej. 120 janë vrarë, me emra dhe mbiemra i kem. Të plagosur kanë qenë mbi 400. Ne më pas kemi hyrë brenda burgut. Sikur të mos mjaftonin, kanë hy gardianët dhe drejtpërdrejtë me pistoletë kanë vazhduar të vrasin. E ka pa vëllai duke ia vrarë vëllain, ku ka më rëndë. Datën 22 e kemi kaluar në pavionin C”, ka thënë Hasani.

Edhe 23 maji nuk ishte i lehtë për ata që kishin mbijetuar. Sërish, siç ka rrëfyer Hasani, gardianët i thirrën që të mblidhen në sallën e sportit. Hasani ka thënë se aty janë përshëndetur dhe ia kanë kërkuar hallallin njëri-tjetrit pasi mendonin se do të ekzekutoheshin.

“Mëngjesin e 23-tit, na ftuan me shku në sallën e sportit. U mblodhëm para se me shku. I thashë, shokë deri këtu e ka pas jeta, po na vrasin, por edhe ky gjaku jonë do të jetë pjesë e lirisë sonë dhe shtetin tonë. Jemi përqafuar, edhe kemi dalë me shku që të vdisnim denjësisht. Kur u futëm në sallë gardianët e policisë ishin me maska. Rreth 600 të burgosur u mblodhën në sallë. Veç po pritnim ekzekutimin. Na dhanë ujë. Pas pak, na dhanë edhe duhan. Duke pritur, një gardian me maskë, hynte brenda dhe dilte jashtë, deri në momentin kur hoqi maskën. Ai njihet me emër dhe mbiemër. Aty na tregoi se kishin marrë vendim që të mos i vrisnin. Ata e kanë llogaritur që është arritur maksimumi i vrasjeve. Na kanë thënë që jemi të lirë dhe kanë dalë jashtë mureve”, ka theksuar Hasani.

Por më 24 maj, nuk u lanë të lirë. Sipas Hasanit, ata me një autobus i dërguan në Burgun e Lipjanit.

“Kur kemi hyrë aty, kemi hyrë brenda burgut, na ka pritur kordoni i gardianëve me ‘stupca’, duke na rrah, s’ka pas lidhje a je i plagosur apo jo. Deri më datën 10 qershor, kemi qenë aty. Më pas na kanë çuar nëpër burgje të Serbisë. Jemi marrë peng. Unë kam qenë fillimisht në burgun e Pozharecit”, rrëfen me emocione Hasani.

Duke shpjeguar përjetimet e rënda, Hasani ka thënë se kur janë transportuar në burgun e Pozharecit kanë kuptuar se Kosova është çliruar dhe se ndjenja triumfuese ishte arritur. Hasani ka thënë se në ato momente nuk kishte më ndjenja personale, sepse “gjithçka shkonte përtej vetes”.

Hasani ka treguar se sa herë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitonte ndonjë betejë, dhuna ndaj shqiptarëve në burgje rritej.

Para dërgimit në Mitrovicë, ka qenë tjetër sfidë e madhe me të cilën janë përballur të burgosurit. Hasani ka treguar se të burgosurit serbë kishin djegur burgjet duke kërkuar të drejtat elementare të të burgosurve.

“Kur na erdhën duke i rënë derës, ne nuk kishim asgjë me vete. Me një lugë kemi bë përpjekje t’i ndalnim të hynin, por ata kishin nevojë për ndihmën tonë që t’ua përkrahim kërkesat. Kur i pyetëm se çfarë kërkesa bëhet fjalë, pranuam sepse ishin kërkesa normale e neve na mundësuan më pas të marrim edhe celularët”, ka shpjeguar më tej Hasani.

Hasani ka shtuar se kur kishin kuptuar se në burg do të vinte televizioni i Serbisë për t’i dëgjuar kërkesat e të burgosurve, shqiptarët ishin përfshirë me parullën “edhe ne jemi gjallë”.

Ai ka treguar se bashkë me Fondin për të Drejtën Humanitare kishin inskenuar takime, në mënyrë që të dilnin nga burgu.

Në një burg me Millosheviqin

Pas kësaj, të burgosurit shqiptarë ishin dërguar në Burgun Qendror të Beogradit. Aty në burg ishte edhe Sllobodan Millosheviqi. Sipas Hasanit, informata se në burg ishte edhe Millosheviqi “ishte një lloj shfajësimi”.

Ai ka treguar një rast kur i ishte kërkuar t’ia pastronin dhomën Millosheviqit.

“Një ditë kur erdhën gardianët, erdhi me rrapëllimë e serbisht thotë hajdeni t’ia pastroni dhomën Millosheviqit. I thash jo më vjen keq unë kam luftuar ndaj Millosheviqit e s’i t’ia pastroj dhomën? S’ka mundësi. I tha tjetrit, e asnjëri s’pranoi. E mbyllën derën duke thënë se tash do ta shihni kush jemi ne. Mbretëroi heshtja. E prisnim që të na rrihnin, por ne ishim mësuar. Më shumë kishim ngrënë rrehë se bukë. S’kishte ndjenjë që unë t’ia pastroj... me më vra mundesh por atë s’e bëj. Pas disa ditësh na hoqën sepse u krijuan protestat jashtë e neve na kanë rrahur edhe nënat”, ka treguar ai.

Hasani ka thënë se pas pesë vjetësh nëpër burgje, më në fund kishte arritur ta shihte të fejuarën e tij, që bashkë me Flora Brovinën në Beograd kishin shkuar për të nxjerrë të burgosurin më të ri.

Pas këtij burgu, Hasani ka rrëfyer se ishin transportuar në Burgun e Nishit.

“Refuzuam lirimin e Kurtit pa garanci”

Në Burgun e Nishit, Hasani ka treguar se si ishin takuar me Albin Kurtin dhe se si në një moment kishin refuzuar lirimin e tij gjatë natës.

“Para se të dilnim, e kanë sjellë Albin Kurtin aty. Kemi diskutuar, kemi ndejt pak, por kemi biseduar shumë për gjithçka. Ishte njëfarë lirie sepse Millosheviqi ra e gardianët ishin të korruptuar e kishte mundësi të flitej me telefona. Me Albinin diskutonim për shtetin e Kosovës dhe si do të ecet me transformimin. Pavarësia apo liria ishte trevjeçare. E thirrën për me dalë në një moment, e kur e thirrën na tha që çka të bëj, i thash të diskutojmë e i kemi thënë jo sepse natën nuk dilet nga burgu pa pasur garanci se dikush do të të marrë. Ata i thoshin se do ta lironin e ne i thamë jo sepse s’ka garanci. Erdhi edhe Kryqi i Kuq e s’i besonim. Bëmë marrëveshje që ta afrojmë deri te Kryqi i Kuq. Kah u kthyem na dhanë dajak të mirë si shpërblim që s’e lamë vetë”, ka treguar ai.

Hasani ka thënë se në burgun e Nishit kanë qëndruar deri më 26 mars 2002. “Atë ditë na kanë mbledhur dhe na kanë hipur në autobusë për burg të Dubravës”, ka thënë ai duke treguar shokun e ripërjetuar kur kanë parë se po kthehen në vendin e krimit.

“Kemi mbërri në mbrëmje, e kuptuam se po na çonin në Kosovë. Ishte ndjenja shtesë se po vjen në vendin tënd. As ëndërr s’e kam pa se do të kthehem në vendin ku na kishin vra”, ka treguar ai.

Një ditë pas qëndrimit në burgun e Dubravës, Hasani ka thënë se ishte kërkuar lirimi vetëm i tij, por se ishte refuzuar. Ai ka thënë se ish-kryeadministratori i UNMIK-ut, Steiner, ka mbajtur një fjalim të nesërmen dhe i kishte njoftuar për lirimin e të gjithëve.

“Shteti s’ka bërë asgjë”

Hasani në fund ka folur për mospunën e shtetit të Kosovës në kërkimin e drejtësisë. Ai ka thënë se Kuvendi ka bërë rezoluta, por s’ka pasur asnjë qeveri që ka marrë ndonjë vendim.

Hasani ka thënë se e kanë listën me 190 njerëz që kanë punuar dhe kanë marrë pjesë në krim.

“Asnjë akuzë s’është ngritur”, ka thënë ai.

“E kanë arrestuar një gardian. Për të kam dhenë deklaratë, ka ndryshuar letërnjoftim e s’e njeh askush. E kanë njohur njerëzit kur ka shitur prona në Istog. Sot është në burg e thotë jam i paajshëm. Kush i pafajshëm, 100 të vrarë e 400 të plagosur. Kush mund ta lirojë para atij gjaku”, ka deklaruar Hasani.

“Liria ka çmim, të rëndë, por liria pa gjak nuk fitohet. E ka emrin UÇK bashkë me ndihmën e NATO-s”, ka përfunduar rrëfimin Hasani.

Në masakrën e Burgut të Dubravës, 100 të burgosur shqiptarë u ekzekutuan e mbi 200 të tjerë u plagosën nga të shtënat e pjesëtarëve të armatosur serbë. Por pavarësisht se ka dëshmitarë të shumtë, Prokuroria Speciale nuk i ka kthyer fare përgjigje KOHËS të premten kur janë pyetur se pse edhe 24 vjet pas nuk është ngritur asnjë aktakuzë për këtë masakër.